Site icon Telegrafi

Liria i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pret shfuqizim të vendimit nga FFK

Liria e Prizrenit iu kthye dje (e mërkurë) përgatitjeve, pavarësisht se kampionati i Ligës së Parë është shpallur i mbyllur nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Prizrenasit besojnë se ky vendim është i padrejtë dhe se ai duhet të kthehet prapa.

Sekretari i Lirisë, Bashkim Kajdomçaj, ka bërë të ditur se ata i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese.

Lexo po ashtu Liria del kundër vendimit të FFK-së për pezullimin e Ligës së Parë

“Liria është ankuar në Gjykatën Kushtetuese, pasi konsiderojmë se vendimi i FFK-së është diskriminues në raport me Superligën”, ka thënë Kajdomçaj për Gazetën Olle.

“Po ashtu kemi edhe vendimin e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport dhe Ministrisë së Shëndetësisë për rifillim të aktiviteteve. Nga ta kemi kërkuar përkrahje të zhbllokimit të situatës për Ligën e Parë”, shton ai, duke marrë shembull edhe ligat e Rajonit si në Shqipëri e Mal të Zi, ku kanë rifilluar edhe Ligat tjera krahas elitës.

Kajdomçaj theksoi se në bazë të përgjigjes nga organet gjyqësore, do të kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar.

Liria ndodhej e treta në renditjen e Ligës së Parë, me pesë pikë më pak se sa Arbëria e Dobrajës e dyta, e cila bashkë me Besën e Pejës u inkuadruan në Superligë, bazuar në vendimin e FFK-së.

“Rreth 200 mijë banorë ka komuna e Prizrenit, ndërsa të hyjë në Superligë një ekip nga një fshat apo para-lagje e një qyteze, kjo veç do ta dëmtojë futbollin e Kosovës. Andaj, nisur nga kjo, por edhe fryma e “fair-play”, Liria kërkon dhe pret që FFK të marrë vendim të ri, ta shfuqizojë atë vendim të datës 27 maj dhe të rifillojë Liga e Parë”, deklaroi më tutje zyrtari i Lirisë.

Deri në fund të Ligës së Parë ishin edhe 10 javë.

Exit mobile version