Liria nuk ka arritur të triumfoj për të katërtën herë radhazi në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.
Prizrenasit nuk kanë mundur të triumfojnë para shikuesve të vetë në stadiumin Përparim Thaçi duke barazuar pa gola me Ferizajn, e cila nuk di për fitore në tre xhirot e fundit, por ka një ndeshje të pazhvilluar kundër KEK-ut.
Vendasit kishin më shumë raste për shënim, por që nuk arritën të tundin rrjetin e kundërshtarëve gjersa mysafirët rrezikonin me kundërsulme.
Një ndër rastet më të mira në pjesën e parë e kishte Qëndrim Gashi, i cili nuk arriti të mposhte në 16 minutë portierin, Armend Blakçorin.
Në fakt, Genc Hamiti testoi portierin vendas, Flamur Gashin në të pestën minutë, por që ishte i pasuksesshëm.
Në pjesën e dytë sërish Hamiti pati një rast të mirë në të 59 minutë, por që nuk arriti të kaloj mysafirët në epërsi.
Njëzet minuta para përfundimit të takimit, Muhamet Berisha i prizrenasve u përpoq të mposht portierin mysafirë, por nuk u tregua i suksesshëm.
Në minutën e fundit të takimit, Liria arriti të tund rrjetën e mysafirëve përmes Liridon Fetahajt, i cili sipas asistentit të gjyqtarit kryesor ishte në pozitë jashtë loje dhe e anuloi golin.
Deri në fund të ndeshjes më nuk pati raste, dhe kështu takimi përfundoi me rezultatin më të padëshiruar për tifozët, 0-0.
Arpagjikt’ pas kësaj ndeshje zë pozitën e 11 me dhjetë pikë gjersa një vend më lartë me një pikë më shumë se Liria gjendet Ferizaj.
Prizrenasit në takimin e radhës do të jetë mysafirë të Dritës gjersa ferizajasit do të ballafaqohen si vendas me Llapin. /Telegrafi/