Liria nga Prizreni ka fituar në shtëpi ndaj liderit të kampionatit, Llapit nga Podujeva me rezultat të thellë 3-0.
Skuadra prizrenase ka fituar bindshëm ndaj Llapit në takimin e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi e nisi në mënyrë të përkryer takimin duke shënuar në minutën e parë të ndeshjes me anë të Florent Avdylit.
Liria vazhdoi me dominim edhe në kalimin e ndeshjes, duke gjetur edhe golin e dyfishimit të epërsisë pak minuta pa përfunduar pjesa e parë.
Ishte Zenel Gavazaj, i cili shënoi për 2-0 dhe dërgoi skuadrën e tij në pushim me qetësi pas dy golave epërsi.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të prizrenasve, të cilët gjeten edhe golin e tretë në takimin duke vulosur fitoren e madhe ndaj liderit të kampionatit.
Ishte Besart Islamaj që shënoi në minutën e 81-të dhe vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes 3-0.
Pas kësaj fitore, Liria ngjitet në vendin e tretë në tabelë me 18 pikë të mbledhura po aq sa Gjilani në vendin e dytë, ndërsa Llapi vazhdon në vendin e parë me 20 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, “Arpagjiktë” e presin Vëllaznimin në shtëpi, ndërsa Llapi do luaj përsëri në udhëtim, kësaj radhe te Drenica. /Telegrafi/