I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ai në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtime ujore nga njëri vend në tjetrin, për të lidhur qytetin e Bajram Currit, Gjakovën me pjesën tjetër të vendit.
Më vonë, liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e vizitorëve turistik vendas e të huaj, pikërisht për faktin e bukurive natyrore dhe Monumenteve të Natyrës e historisë që gjenden në shtrirjen e brigjeve të tij.
Përgjatë tërë liqenit, nga Fierza e deri në Koman, në një udhëtim që zgjatë më pak se tre orë, vizitorët mund të mahniten me pamjet që ofrohen.
Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të pa përshkruar, ndërsa atraksion në vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.
Liqeni i Komanit është njëri ndër vendet më të bukura dhe që më së shumti i’a vlen të vizitohen në Shqipëri, për ujrat dhe natyrën e veçantë.
Ka disa vite që organizohen ture nëpër liqen dhe interesimi rritet çdo ditë e më tepër, veçanërisht nga turistët e huaj, të cilët po mahniten me bukuritë që ofron ky udhëtim.
Lëvizjet turistike nëpër ujërat e Liqenit të Komanit vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, por sezoni i vërtetë turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme.
Operatorët turistik që operojnë në këtë liqen, e pranojnë se zona ka nevojë ende për shumë investime të tjera veç tragetit dhe disa varkave, që të garantojnë turizëm të mirëfilltë.
Përveç transporti, në këtë zonë nuk ka ndonjë vend që ofron akomodim për turistët e interesuar. Shpeshherë turistët strehohen apo akomodohen në shtëpitë e banorëve rreth brigjeve të liqenit, duke përdorur dhe ushqimin e banorëve të zonës.
Për eksploratorët e natyrës dhe të historisë së zonës, të kulturës dhe të zakoneve, shfrytëzohen për fjetje e strehim bujtinat e rralla të fshatrave buzë liqenit.
Por, edhe në mungesë të kapaciteteve, zona e liqenit të Komanit duket të jetë mjaft atraktive për turistët.
Mundësia e kampingut në ndonjërin prej fshatrave të zonës, shëtitja nëpër pjesët e ndryshme të liqenit dhe ushqimi tradicional, tërësisht bio, duket se janë të mjaftueshme për kënaqësinë e tyre.
Qëndrimi në këtë zonë është një aventurë e bukur dhe ja vlen të provohet.
Një nga fshatrat që ia vlen të vizitohet apo të ngrihet një kamping i vogël është dhe fshati Berbull, një fshat me kulla të bukura dhe me një pozicion të mahnitshëm me pamje mbi liqen.
Nga këtu mund të nisesh e të vizitosh lumin e Shalës,një vend i mahnitshëm e përrallorë, me shpellat e tij apo lumi Daica, një vend i mrekullueshëm për qëndrim ditor dhe freskim.
Të mahnitur me pamjet përrallore të liqenit të Komanit janë shprehur shumë turistë të huaj, të cilët lundrimin nga Fierza në Koman apo anasjelltas e kanë cilësuar si “udhëtimin në mes të fjordeve shqiptare”.
Përveç dy porteve në të dyja anët e liqenit, atij të Fierzës dhe të Komanit, liqeni si tërësi ofron edhe shumë vende tjera që vlen të vizitohen.
Në mesin e tyre vlen të vizitohen Lumi i Shalës, Lumi i Daicës, Lumi i Berishës, Lumi i Gominës, Shpella e Shalës, Shpella e Kaurrit, Ishulli i Paqës, Përroi i Gjakut, si dhe fshatrat Svinë, Berbull, Zhub, Berishë, Nanbli, Temal, Toplane, Brise, Salcë, Palcë e të tjera.
Jemi future në ditët e ngrohta të stinës, bora ka shkrirë dhe gjethi ka çel e ka gjelbëruar ambientin në të dyja anët e rrjedhës së liqenit, turistët e parë stinorë kanë filluar udhëtimet e tyre drejt këtyre viseve me një natyrë dhe histori mahnitëse. Operatorët turistik janë futur në aktivitet të plotë. Ja vlen një fundjavë udhëtimi nëpër Liqenin e Komanit. /Telegrafi/