Telegrafi

Liqeni i Dojranit, pak i njohur, por shumë tërheqës për ta vizituar (Foto/Video)

Liqeni i Dojranit është gjithashtu një destinacion turistik në Maqedoni që vlerësohet shumë. Ka një sipërfaqe prej 43.1 kilometër katrorë dhe ndodhet në kufi me Greqinë, pra bukuritë dhe të mirat e këtij liqeni shfrytëzohen nga dy shtetet fqinje.

I vendosur në juglindje të vendit dhe me një thellësi prej 10 metër, Liqeni i Dojranit është liqeni i tretë natyror në Maqedoni për nga madhësia, përcjell Telegrafi Maqedoni. Ky liqen me plot sharm ka parë luftë, paqe, zjarre por edhe përparim ndër vite. Në periudhën e Luftës së Parë Botërore, 1916, 1917, 1918, edhe kjo pjesë ka qenë arenë luftimesh ndërmjet palëve të përfshira.

Për shkak të përdorimit të tepërt të ujit të këtij liqeni, kryesisht për ujitje, liqeni i Dojranit thuajse u zhduk, por masat e ndërmarra, si edhe të reshurat e shumta në vitet e fundit, ndihmuan që liqeni të ringjallet, kështu kjo dhunti e mrekullueshme natyrore nuk u zhduk.

Liqeni i Dojranit është mjaft popullor për shkak të tregimeve për të. Më i dhimbshëm është tregimi për legjendën e Dojranës, e cila e dashuronte Labin, si edhe gjeneralin osman që i vuri syrin vajzës së bukur.

Gjenerali i takon të dy së bashku, Dojranën dhe Labinin, situatë që e bën që ta plagosë të dashurin e vajzës së bukur. Çifti i dashuruar tenton që të ikë dhe futet në liqen, për të mos dalë më të gjallë nga aty. Prandaj, thuhet se edhe liqeni e ka marrë emrin Dojran, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Për shkak të ndikimit të klimës mesdhetare, në liqenin e Dojranit vegjetacioni lulëzon në pranverën e hershme, kurse peshkimi bëhet në një mënyrë mjaft të vjetër, ndërkaq nuk mungojnë edhe shpezët e ndryshme. Prania e shpezëve përdoret mjaft mirë nga peshkatarët për të peshkuar.

Ngjashëm si liqeni i Ohrit dhe i Prespës, edhe liqeni i Dojranit ka rëndësinë e tij turistike, vizitohet shumë, pra ofron mundësi mjaft cilësore për të kaluar ditët e pushimit tuaj. Plazhet, uji, bota bimore dhe shtazore, mikpritja e qytetarëve, e bën Dojranin një destinacion turistik që duhet konsideruar seriozisht për ta vizituar./Telegrafi/

 

*Foto: Nace Popov