Thuhet se në fund të Liqenit të Batllavës i cili është i thellë rreth 48 metra, ende gjenden themelet e shtëpive që dikur kishin ekzistuar në hapsirën ku sot zë vend liqeni.
Ka edhe një legjendë që qarkullon ndër banorët e fshatit të Orllatit, fshat ky që shtrihet përreth liqenit, se brenda në liqen gjenden “varret e dy palë krushqve”.
Legjenda thotë se kohë më parë, aty ku gjendet sot liqeni, ishin takuar ballë për ballë dy palë krushq nga dy dasma të ndryshme. Sipas ligjeve të atëhershme të pashkruara, krushqit që u lëshonin të tjerëve rrugën, humbisnin nderin. Dy palë krushqitë, duke mos lëshuar pe, kishin humbur jetën në atë vend, të cilin sot e mbulon uji i Liqenit të Batllavës.
Liqeni i Batllavës është një nga atraksionet turistike më të frekuentuara në Kosovë, sidomos gjatë vikendeve me mot të kthjellët. Të shtunave, e më tepër të dielave shihen grupe të rinjsh e familjarë që bëjnë piknik përreth liqenit, fëmijë që luajnë dhe të moshuar që ecin në qetësi nën plepa. Nuk mungojë as peshkatarët.
Rexhep Zeka, banori fshatit të Orllanit dhe njëherësh bashkëpronar i një restaoranti në atë pjesë, thotë se turizmi është ajo që e mban fshatin në këmbë, meqë një pjesë e madhe e të rinjve janë të punësuar në lokalet përreth.
Ai pohon se të moshuarit e këtij fshati janë shumë të fuqishëm për shkak të ajrit të shëndetshëm të fshatit. Zeka merr shembull të atin, 75 vjeçar i cili ende punon në dyqanin ushqimor familjar, afër liqenit.
“Orllani në përgjithësi është një vend turistik. Ka një ajër shumë të mirë që është ajër i shëndetshëm edhe për të moshuarit, edhe për të rinjtë, ka vizitorë shumë që numri i tyre sillet rreth 20 mijë vizitorë brenda vitit, kështu që është një vend shumë atraktiv për të gjitha aktivitetet”, thotë ai.
Sipas Zekës, një ndër problemet më të mëdha në lidhje me liqenin është ai i mungesës së vetëdijësimit për ambientin. Ai pohon se merren aksione për pastrim vazhdimisht, por nëse qytetarët nuk vetëdijësohen për të mos hedhur mbeturina, atëherë është e vështirë të mirëmbahet ambienti.
Edhe Isuf Govori nga komuna e Podujevës, e ka të njejtin shqetësim. Ai bashkë me një grup çiklistësh vijnë çdo dy-tre ditë në Batllavë me biçkleta nga qyteti i Podujevës.
Govori thotë se ambienti është shumë i papastër ndonëse organizohen shpesh aksione pastrimi në këtë rrethinë. Kjo sipas tij, ngaqë është shumë e vështirë që hapsira përreth të mbahet e pastër meqë vikendeve vijnë shumë njerëz të pakujdesshëm.
“Vina çdo dy-tri ditë tek Liqeni i Batllavës, here-herë ka njerëz, here-herë jo. Ambienti është siç po e shihni edhe vetë, është tmerr. Nuk e ruajnë. Vijnë, gjuajnë gjësende, e ndotin ambientin, është shumë keq siç po e shihni edhe ju vetë, është për të ardhur keq,” thotë ai.
Në fakt në plazhet e ndërtuara përreth, pos grumbujve me mbeturina shihen edhe vatra hiri gjithandej.
Jo më larg se dje është ndërmarrë një aksion pastrimi nga Inxhinierët pa Kufij (Engineers Without Borders-Kosova) të cilët me përkrahje financiare nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut kanë vendosur edhe shporta mbeturinash nëpër hapësirat përreth Liqenit të Batllavës.
Një tjetër shqetësim për banorët e fshatit të Orllanit është moslidhja me ujësjellësin rajonal i cili furnizon gjysmën e Prishtinës me ujë. Së fundmi ishte organizuar një marsh protestiv nga banorët e këtij fshati për këtë çështje.
Rexhep Zeka i cili poashtu është përfaqësues i OJQ-së “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, organizatë e cila ka organizuar marshin, thotë se beson se marshi ka dhënë efikasitetin e vet sadopak.
“Ne fillimisht kemi organizuar edhe një tryezë për këtë temë, mandej kemi bo edhe disa kërkesa nëpër institucione. Natyrisht se kemi ardhë edhe deri tek protesta, një marsh protestues ta quajmë ashtu. Mendojmë se sadopak e ka dhënë efikasitetin e vet, po shpresojmë se do të ndahen mjetet për të furnizuar këta qytetarë, këta banorë të Orllanit me ujë të pijshëm”, tha ai.
Liqeni i Batllavës është i thellë 48 metra. Përgjatë vitit 2008, ai kishte shtrerruar për 19 metra, kurse gjatë dimrit që po lëmë pas, tërë sipërfaqja e liqenit kishte ngrirë si pasojë e temperaturave të ulëta. Banorët pohojnë se trashësia e akullit kishte qenë 40 centimetra./KP/