Telegrafi

Lippi, Conte, El Shaarawy dhe shumë të tjerë ishin cak i tij – aksidentohet për vdekje mashtruesi i famshëm

Ndërron jetë në një aksident automobilistik Massimo Bochicchio, ndërmjetësi që kishte mundur të mashtronte një numër të madh VIP-ash në Itali, mes tyre shumë futbollistë dhe trajnerë.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme në Romë, për shkak të një aksidenti të rëndë në Via Salaria.

Rreth mesditës, në rrugën numër 875, në drejtim të kryeqytetit, për shkaqe ende të paqarta, Bochicchio humbi kontrollin e motoçikletës së tij tip BMW, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur me një mur. Mjeti me të cilin udhëtonte Bochichio mori flakë.

Bochicchio kishte përfunduar gjyq për mashtrimin e disa futbollistëve, trajnerëve dhe VIP-ave që ishin mbështetur tek ai për të investuar paratë e tyre.

Në mesin e 34 klientëve të ndërmjetësuesit që kanë bërë kallëzim kundër tij janë edhe Marcello Lippi dhe djali i tij Davide, Stephan El Shaarawy dhe Patrice Evra, prokurorët Federico Pastorello dhe Luca Bascherini, si dhe Antonio Conte dhe vëllai i tij Daniele.

Në total, Bochicchio kishte arritur t’u vidhte mbi 70 milionë euro. /Telegrafi/