Është prezantuar raporti “Indeksi i konkurrueshmërisë së komunave” ku janë prezantuar gjetjet e anketës me 3350 biznese nga 38 komunat e Kosovës, gjetje këto përmes së cilave është arritur deri tek vlerësimi i qeverisjes lokale në bazë të ambientit përkrahës për zhvillim të bizneseve.
Me këtë rast është bërë e ditur se pesë komunat e renditura më së miri janë ajo e Lipjanit, Rahovecit, Vitia, Juniku dhe Gjakova.
Sipas raportit, komunat me performancen më të mirë të vitit 2019, në një masë të madhe janë gjithashtu ato që kanë performuar më së miri në vitin 2018, me përjashtim të Prishtinës e cila ka rënë për 5 vende.
Një rënie të konsiderueshme të rezultatit ka pasur nën-indeksi i barrierave të hyrjes, megjithëse ende mbetet një nga treguesit me renditjen më të mirë.
Nën-indeksi i vetëm ku ka pasur një përmirësim është ai i transparencës. Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, tha se ky indeks është një tregues agregat i përbërë nga 8 nën-indekse bazë për matjen e konkurrueshmërisë.
“Indeksi ka 8 nën-indikator, e para barrierat e hyrjes në biznes, e dyta transparenca në informimi, e treta pjesëmarrjen dhe parashikueshmërinë, kostot kohore, taksat dhe tarifat, administratën komunale, fuqinë punëtore dhe shërbimet mbështetëse për bizneset dhe infrastruktura. Kosova ka nevojë për një politikbërje që bazohet në evidencë dhe që merren masa pastaj për përmirësimin e të bërit biznes në Kosovë”, tha ai.
Drejtori i programit dhe Zyrës së Politikave në USAID, Paul Vaca, tha se ky raport do të jetë një ndihmesë për komunat që të dinë se cilat janë sfidat e bizneseve.
“Përkundër sfidave shumë komuna kanë performuar mirë. Së bashku me gjetjet e raportit do të ndihmojmë komunat që si të përdorin të dhënat. Vet raporti do t’iu ndihmojë qytetarët që të mbajnë përgjegjës komunat e tyre. Komunat tash i kanë informatat dhe duhet të veprojnë”, tha ai.
Drejtoresha për zhvillim të qëndrueshëm komunal në MAPL, Fetije Begolli tha se MAPL ka finalizuar një strategji të zhvillimit ekonomik lokal për vitin 2019-2023, dhe se tani kanë filluar implementimin e planit të veprimit. Vizioni i kësaj strategjie është krijimi i një strategjie për zhvillim ekonomik lokal”, tha ajo.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se si komunë i kanë shfrytëzuar raportet e viteve të kaluara për të shënuar rezultate më të mira.
“Nuk mendoj që ambienti i të bërit biznes lokal mund të dallohet nga niveli i vendit, por gjithashtu mendoj që komunat e kanë pak hapësirë për të ndërmarrë disa veprime ku mund të provojnë të japin lehtësira bizneseve. Duhet të shfrytëzohen këto gjetje, mund të shënojmë progres në bizneset lokale. I kemi ulur të gjitha taksat që kanë të bëjnë me bizneset. Kemi krijuar shoqatën e afaristëve ku kanë vendimmarrje”, tha ai.
Raporti i Indeksit të Konkurrueshmërisë së Komunave është prezantuar nga Enisa Serhati nga Instituti Riinvest. “Kemi shumë hapësire për t’u përmirësuar. Disa prej indekseve ose kanë qëndruar në nivel të njëjtë ose kanë pësuar rënie”, tha ajo. /Kp/Telegrafi/