Klubi basketbollistik i Lipjanit është anëtari i ri i IP Superligës së Kosovës në basketboll.
Pavarësisht disfatës së pësuar të mërkurën mbrëma nga Kalaja në Prizren, Lipjani është shpallur kampion i Ligës së Parë.
Në këtë mënyrë, kjo skuadër e ka siguruar inkuadrimin në rangun më të lartë të basketbollit kosovar.
KB Lipjani pësoi me rezultat 70-73, por falë fitores në ndeshjen e parë me pesë pikë epërsi (76-71), u shpall kampion i Ligës së Parë.
Ndërkaq, Kalaja e Prizrenit tash do të luajë në ‘play-out’ kundër Boreas nga Peja.
Përballja e parë mes Boreas dhe Kalasë do të luhet të dielën (29 prill) me fillim nga ora 19:00 në Pejë.
Sipas rregullave, mes skuadrave zhvillohen dy ndeshje, ndërsa nëse të dyja skuadrat e fitojnë nga një takim, tutje vazhdon (inkuadrohet apo mbetet në Superligë) ekipi që fitoren e vet e ka shënuar me më shumë pikë epërsi. /Telegrafi/