Site icon Telegrafi

Linjiti ynë dhe gazi i tyre

Raportet ndërkombëtare dhe ato vendore tregojnë se gjërat në aspektin ekonomik në Kosovë janë duke ecur me ritme shumë të ngadalshme dhe me plot tendenca të regresit ekonomiko-financiar. Kriza financiare që ka kapluar tërë Evropën e ka bërë edhe më të vështirë rrugëtimin e vendit tonë drejtë krijimit të një shteti stabil dhe funksional. Problemet ekonomike të trashëguara nga pozita e rënd që e pati Kosova në kuadër te sistemit politik jugosllav, nuk u eliminuan edhe pas çlirimit. Institucioneve vendore ju mungonte hapësira por edhe njohuritë dhe vizoni për t’u përballur me këto sfida ekonomike. Një mundësi për progres të theksuar ekonomik paraqitet me resurset e shumta natyrore. Shumë institucione ndërkombëtare me nivel të lartë dhe prestigjioz treguan se rezervat e mineraleve tona metalike dhe jo metalike mund të ndikojnë në rritjen e shkallës së zhvillimit ekonomik të vendit. Studimet e sponsoruara nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore rezultojnë se rezervat e linjitit përbëjnë një mundësi për zhvillimin e sektorit energjetik duke ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese dhe njëkohësisht duke i mbyllur të vjetrat, të cilat janë ndotëse të mjedisit jetësor.

Letra e Bardhë dhe studimet e financuara nga Banka Botërore sugjerojnë se Kosova ka nevojë urgjente për zgjerimin/ndërtimin e kapaciteteve energjetike në mënyrë që të krijohen parakushte për zhvillim ekonomik. Në kohën kur janë zhvilluar këto studime ka pasur edhe divergjenca dhe përplasje dhe kryesisht në pretendimin e disa ekspertëve të Bankës se Kosova është një vend i vogël pa ndonjë shkallë të duhur të zhvillimit dhe pa industri të zhvilluar prandaj edhe nuk ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese në fushën e energjisë. Por, këto ide abstrahonin të vërtetën e pamohueshme se posedimi i energjisë elektrike është parakusht për zhvillim ekonomik dhe jo qëllim në vete. Këta ekspertë javor të influencuar nga interesat e kompanive për të cilat punonin, nuk merrnin parasysh opsionin e zhvillimit të sektorit privat dhe nevojën e tij për energji elektrike. Poashtu pretendimi ynë se pasja e energjisë së mjaftueshme elektrike përbën një garanci për investimet e huaja u anashkalua plotësisht në këto analiza. Ironikisht, ata nuk e vendosnin si pengesë madhore mos furnizimin e rregullt me energji. E kuptueshme deri diku se energjia nuk është i vetmi parakusht për investime të huaja, por megjithatë parakusht esencial. Fatmirësisht, kjo ide nuk gjeti hapësirën e duhur dhe ishte ne kundërshtim të plotë me nevojat e një vendi i cili kërkonte më shumë dritë dhe progres.

Analizat e kryera në dekadën e fundit treguan se Kosova duhet të zhvilloj sektorët e energjisë dhe te minierave. Shumë kohë dhe para u shpenzuan nga Brukseli,Uashingtoni,Berlini dhe Prishtina për të arritur deri tek rezultatet e sakta. Donatorët kryesor Uashingtoni dhe Brukseli e mbështetën qeverinë e Kosovës për të filluar këto procese të mëdha që mendohej se do të rezultojnë me të hyra për shtetin e Kosovës dhe to të mbillnin farën e zhvillimit ekonomik. Projekti në sektorin e energjisë i njohur si “Kosova C” që në fillim u vendos në thumbin e kritikave të ashpra duke vënë në pah si kritike çështjet mjedisore. Për të parë nëse pretendimet e ambientalistëve kanë bazë, u mobilizuan grupe ekspertësh vendor dhe ndërkombëtar të cilët realizuan shumë studime dhe analiza të mirëfillta rreth përdorimit të linjitit dhe problemeve që kanë të bëjnë me ndotjen mjedisore, në veçanti çështja që është diskutuar në masë të madhe ishte ndotja nga linjiti me metale të renda. Ajo që duhet theksuar është se kryesisht pretendimet e tilla vinin duke u bazuar në ndotjen që shkaktojnë centralet ekzistuese, duke e abstrahuar teknologjinë e re me të cilën pritet të ndërtohen centralet e reja.

Megjithatë, ekzistonte vullnet politik për të adresuar shqetësimet e ambientalistëve dhe për këtë u ndërmorën shumë analiza të mostrave të linjitit të cilat tregonin se ky resurs i yni është i lejueshëm për t’u përdorur për gjenerimin e energjisë elektrike. Analizat e bëra nga Instituti “INKOS” dhe kompania finlandeze “Poyry Energy Oy” por më vonë edhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nga Banka Botërore, u janë dhënë institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Duhet theksuar se debati mbi prodhimin e energjisë nga qymyri/linjiti është i gjallë edhe në vendet e zhvilluara, të cilat e përdorin qymyrin si lëndë bazë për gjenerimin e energjisë elektrike.

Në botë rreth 40% e energjisë prodhohet nga linjiti. Gjermania është vendi tipik i këtij resursi të cilin e përdorë për të gjeneruar pjesën kryesore të energjisë por edhe SHBA-të në shumë rajone të tyre e përdorin këtë mineral. Zhvillimi i teknologjive të reja bënë që problemi i hirit dhe dioksidit të karbonit dhe emetimeve të tjera të sillet në standardet e lejueshme ndërkombëtare. “World Energy Outlook” i vitit 2010 tregon se ndonëse kërkesa për energji vazhdon të rritet si pasojë e zhvillimit të hovshëm ekonomik të Kinës dhe Indisë, qymyri ngelet njëri prej burimeve kryesore të prodhimit të energjisë i shoqëruar nga nafta dhe gazi dhe kështu do të jetë edhe për shumë vite të tjera. Atëherë pse gjithë ky debat që ta orientojmë dikah tjetër zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës. Kosova është nënshkruese e të gjitha marrëveshjeve sa i përket sektorit të energjisë dhe si aspiruese e anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka vullnetin dhe është e detyruar t’i përmbahet politikave të bllokut në këtë aspekt.

Unë jam koshient për faktin se ka ide që sillen kuluareve, se një opsion alternativ i qymyrit do të ishte shfrytëzimi i gazit që vjen nga Rusia, tubacionet e të cilit kanë arritur deri në Serbi. Këto ide silleshin qysh kur është inicuar “Kosova C”. Ashtu si edhe atëherë, edhe sot mendoj se gazit rus nuk mund t’i epet avantazh në raport me linjitin e Kosovës qoftë në aspekte shumë praktike por edhe ekonomike e gjeopolitike. Një skenar I tillë, në një atmosferë antagonizmash shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por edhe ndërmjet blloqeve ku jemi rreshtuar, është i papranueshëm.

Partizanët e idesë së gazit rus nuk do të duhej të fitojnë në raport me shfrytëzimin e linjitit tonë i cili mund të jetë bazament i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik qe duhet ta bëjë vendi ynë.

Uashingtoni dhe Brukseli duhet të vazhdojnë mbështetjen e projektit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë nga linjiti, në harmoni të plotë me standardet më të larta teknologjike ndërkombëtare. Banka Botërore duhet të mbështes përmes këshilltarëve të tyre profesional, vendor dhe ndërkombëtar, sektorin e energjisë në Kosove ose duhet të ndërmarr hapa që lejojnë institucionet e Kosovës ta finalizojnë projektin energjetik. Që nga viti 2007 Banka Botërore është treguar shume inerte në projektin e energjisë dhe të minierave duke lejuar që projekti të ndërroj fizionominë disa herë dhe tani ka ardhur në një fazë kur shumë para janë shpenzuar e pak vendime janë marrë.

Ne, nga viti ne vit jemi duke paguar kosto tepër të lartë ekonomike, sociale dhe politike për shkak të mos prodhimit të mjaftueshëm të energjisë elektrike. Ekonomia jonë humb rreth një miliardë Euro në vit në mungesë të energjisë, derisa buxheti ynë i varfër shpenzon qindra milion Euro për të blerë energji. Burime alternative si uji, dielli apo era nga të gjitha analizat e bëra na rezultojnë se janë të pamjaftueshme për të adresuar kërkesën e konsumit. Gjithsesi mundësia për shfrytëzimin e tyre si burime dytësore duhet të eksplorohet më tutje.

Kosova ka ngecur shumë prapa në sektorin e energjisë dhe minierave. Ne duhet të veprojmë tani për të ardhmen stabile dhe demokratike të vendit tonë.

(Autori ka shërbyer si Ministër i Energjisë dhe Minierave të Kosovës 2005-2008. Aktualisht është ligjërues në Universitetin e Prishtinës)

Exit mobile version