Site icon Telegrafi

Linjat e metrosë, trenave dhe rrugëve janë bllokuar në disa pjesë të vendit pasi Spanja qendrore është goditur nga shiu i dendur

Disa linja metroje në Madrid dhe të trenave me shpejtësi të lartë me qytetet jugore u mbyllën të hënën në mëngjes dhe dy burra u zhdukën pasi shiu i rrëmbyeshëm goditi Spanjën qendrore.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shërbimet e urgjencës u përfshinë në pothuajse 1200 incidente në rajon gjatë natës dhe zjarrfikësit dhe policia po kërkonin dy burra të zhdukur në zonën rurale të Aldea del Fresno, në jugperëndim të Madridit, tha Javier Chivite, zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës në rajon.

“Dy persona janë të zhdukur, babai dhe djali i tij, ata ishin në një automjet që u fut në një ortek të shkaktuar nga vërshimi i lumit Alberche”, tha Chivite. “Shpresojmë që kjo të ketë një rezultat pozitiv”.

Ndërkohë disa rrugë në rajonin e Madridit u mbyllën pasi një numër urash u shkatërruan nga uji që vërshonte brigjet e lumit.

Siç bëhet e ditur më tej, shiu i rrëmbyeshëm i papritur që goditi vendin i shndërroi rrugët në lumenj në rajonet e Madridit, Kastiljes, Katalonjës dhe Valencias. Në shumë zona ka rënë edhe breshër.

Megjithatë, reshjet e dendura të shiut po pakësoheshin të hënën në mëngjes.

Reshjet e shiut vazhduan në pjesën më të madhe të vendit, por Agjencia Kombëtare e Motit të hënën uli nivelin e alarmit në të verdhë nga portokallia dhe e kuqja të dielën. /Telegrafi/

Exit mobile version