Ish-skiatorja olimpike, Lindsey Vonn, ishte e njohur jo vetëm për suksesin sportiv, por edhe për marrëdhënien e saj me Tiger Woods, lojtarin legjendar të golfit.
Në një intervistë për Entertainment Tonight ajo kujtoi marrëdhënien e tyre dhe tregoi se ata mbetën miq edhe pas ndërprerjes së lidhjes.
E njohur si skiatorja më e dekoruar e të gjitha kohërave, 37-vjeçarja kishte bërë bujë edhe për lidhjet e saja, e në veçanti për romancën gati trevjeçare me Woods.
“Mendoj se në përgjithësi është e vështirë të takohesh me dikë në sy të publikut dhe unë kam qenë gjithmonë një person vërtet i hapur. Por, mendoj se kam mësuar se ka disa gjëra që duhet të jenë private”, ka thënë Vonn duke folur për librin e saj të kujtimeve, “Rise: My Story”, ndërsa ka shtuar se e ka pasur të vështirë të zgjedhë se cilat detaje nga jeta private do t’i rrëfente.
Vonn dhe Woods kanë qenë në lidhje për gati tre vjet që nga marsi i vitit 2013 përpara se të ndaheshin në maj të vitit 2015. Ndarja e tyre ishte miqësore, kurse fituesja e medaljes së artë olimpike thotë se ata ende janë ‘miq’.
“Ne jemi miq dhe, sigurisht, jam e lumtur që ai është kthyer dhe është i shëndetshëm”, ka deklaruar Lindsey duke e komentuar edhe aksidentin e tij të fundit dhe rikuperimin.
Ajo pranoi se sa e vështirë ishte për të ndonjëherë të fokusohej në karrierën e saj dhe në të njëjtën kohë të ishte një partnere e përkushtuar. /Telegrafi/