Site icon Telegrafi

Lindje-Perëndim – Muri i Trumpit, a do të funksionojë apo jo?

Mure nga këto që ndajnë kombe, ka pasur në të gjithë historinë e njerëzimit, por ai që Donald Trumpi kërkon të ndërtojë në kufirin me Meksikën është padyshim më i përfoluri i ditëve tona.

Që në fillimin e fushatës për Shtëpinë e Bardhë, miliarderi i pasurive të patundshme bëri disa premtime të cilat është përpjekur t`i mbajë, por për tek njëri prej tyre hodhi më shumë pasion se tek të tjerët: tek Muri!! Gjëja e parë që dikujt i shkon në mendje sot kur flitet për presidencën e manjatit nju jorkez është padyshim struktura, e cila në imagjinatën e shefit të shtëpisë do të frenojë vërshimin e emigrantëve të paligjshëm, drogat e kriminelët, ajo që tërhoqi brohoritjet e përkrahësve të ngazëllyer, por dhe kritikat pafund te kundërshtarëve politike dhe eksperteve, të bindur se sipërmarrja donkishoteske e presidentit të tyre, është vetëm për të çuar para dëm.

Mendimet kundër nuk e zmbrapsën Trumpin as atëherë, e nuk po e bëjnë as tani. Që kur mori çelësat e zyrës ovale, ai firmosi një dekret të posaçëm presidencial duke hedhur kështu praktikisht hapin e parë drejt ngritjes së murit të shumë diskutueshëm. Një premtim elektoral aspak i lirë; përllogaritjet e para tregonin se struktura që do të shndërrohet në trashëgimi të presidentit republikan mund të kushtonte 40 miliardë dollarë, edhe pse së fundi, janë reduktuar shumë. Dëshira e tij ishte që guri i parë i murit të vendosej që në 2017-tën. Argumentet e paraqitura ishin të njëjta si atëherë, edhe tani.

“Mos i lejoni mediat e rreme t`ju thonë se kam ndryshuar pozicion mbi murin. Do ta ndërtoj duke ndihmuar kështu në ndalimin e drogave, trafikimit njerëzor etj”, do të deklaronte Trump në 2017.

“Për çfarë do ta përdorim? Po për të shpëtuar nga drogat dhe bandat dhe njerëzit që vërshojnë!! Është një pushtim. Kemi një pushtim lëndësh narkotike dhe kriminelësh që hyjnë në vendin tonë e që zor se mund të frenohet ndryshe. Me murin do të jetë shumë e lehtë”, do të përsëriste edhe në 2019 ai.

Këmbëngulja për murin vazhdoi pavarësisht dëshmive që tregonin se një barrierë fizike, qoftë mur betoni, qoftë gardh, qoftë strukturë metalike, me shumë gjasë nuk ka për ta ndaluar trafikun e narkotikëve. Sipas një raporti të administratës së anti-drogës, hartuar në 2018-tën, pjesa dërrmuese e heroinës së shitur në Amerikë kanalizohet përmes hyrjeve të ligjshme. Për vite me radhë, trafikantët kanë përdorur tunelet për të kaluar drogën, e kur kjo u zbulua nga autoritetet, ata gjetën rrugë të tjera: kamionë e makina të vogla të mbushura me lëndë narkotike në mënyra nga më inventivet, duke kaluar mu përpara hundës së zyrtarëve amerikanë.

Një efekt, megjithatë, struktura mund ta ketë.

“Disa ekspertë e vënë në dyshim që një mur fizik mund të ndikoje ndjeshëm në uljen e nivelit të drogave të paligjshëm të cilat vërshojnë në vend, sepse ato kalojnë më së shumti nga pikat e ligjshme hyrëse. Megjithatë, si pjesë e një serie mjetesh që shërbejnë për të luftuar emigracionin e paligjshëm, barriera fizike mund të ndihmojë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e lavdëroi planin e Trumpit, duke treguar sesa gardhi i ngritur përgjatë kufirit të Izraelit me Egjiptin ka qenë `një sukses i madh` për mbajtjen e emigrantëve larg, sidomos atyre nga vendet afrikane”, shkruan Washington Post.

Cili është aktualisht gjendja e murit?

Kufiri mes Shteteve te Bashkuara dhe Meksikës është 1,954 milje apo 3,145km i gjatë dhe përshkon shkretëtira të gjera e zona malore në Kaliforni, Arizonë, Nju Meksiko dhe Teksas. Rreth 654 milje nga këto kanë një lloj barriere te bërë nga dora e njeriut, pjesa dërrmuese e ngritur pas 2006-tës. Muri i Trumpit, me përmasat tashmë të reduktuara, duhet të mbulojë 320 kilometra që shihen si më problematike.

Çfarë kërkon ai të bëjë saktësisht?  Këto javët e fundit, presidenti e ka ndryshuar pak gjuhën e përdorur për strukturën në kufi, duke e zbutur me raste përkufizimin nga `mur`, në `barrierë`, e duke lëshuar pe edhe mbi gjendje fizike të tij: sipas Trumpit, nuk ka përse të jetë medoemos beton.

“Barriera apo muri mund të jetë edhe prej çeliku, jo patjetër prej betoni. Do të flas me krerët e industrisë së çelikut në SHBA që të dalin me ndonjë ide apo dizajn, dhe atë do të përdorim si model për barrierën tonë”, ka thënë Trump .

Mbështetja për murin ka ardhur më së shumti nga simpatizantët e presidenti, megjithatë amerikanët në përgjithësi duket se nuk ndajnë të njëjtën bindje me tepër `fuqitë magjike` të barrierës kufitare. Janarin e vitit 2018, siç tregoi një sondazh i Pew Resarch Center, 60% e amerikanëve e kundërshtonin propozimin për zgjatjen e ndjeshme të murit ekzistues. Duket se ideja më së shumti ngroh moshat e thyera, të bardhët dhe personat më pak të arsimuar.

“Mendoj se ka të drejtë, sepse këtu ka droga, ka dhunë dhe ka njerëz pa dokumente, zgjidhja e vetme që kanë është t`i kthejnë mbrapsht; po përse duhet të jetë diçka e vazhdueshme kjo, përse duhet të merren gjithë kohën me të, të kapin njerëz e t`i kthejnë mbrapsht kur mund ta zgjidhin një herë e mirë”, tha Rodolfo Mendoza, një banor në kufiri me murin.

Por, si shihet kjo në qytetet kufitare?

“Neve si meksikanë, që të jem e sinqertë, kjo nuk na gëzon aspak, sepse ne nuk jemi ashtu siç na përshkruan Trumpi, ne këtu nuk vrasim njerëz e nuk shkelim ligjin. Nuk kemi ardhur për këtë, nuk jemi vrasës, jemi njerëz që punojmë, kjo është arsyeja përse ndodhemi këtu, që të luftojmë për veten dhe për një jetë më të mirë”, thotë Marina Hernandez, 70, meksikane, rezidente Shba.

Sa emigrantë të paligjshëm e kalojnë realisht kufirin jugor të SHBA-së?

“Nuk do të ketë kurrë një numër të saktë sepse një pjesë e njerëzve që hidhen të padiskutuar ilegalisht në anën tjetër, më pas qëndrojnë në SHBA, dhe shume prej tyre nuk janë shumë të gatshëm ta tregojnë statusin e vet të emigracionit për asnjë lloj koleksioni të dhënash”, shkruan The Guardian.

Një ide mund të krijohet nga numri i personave të ndaluar nga agjentët kufitarë, i cili në 2017-tën sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ishte 303,916 vetë. Në të njëjtin vit ndërkohë, më shumë se 606,926 persona që hynë në mënyrë legjitime në Amerikë nga ajri apo deti e jo toka, I shkelën vizat e tyre dhe qëndruan në tokën amerikane deri në fund të vitit.

Shifrat pra, e tregojnë qartë se publiku, në pjesën dërrmuese të tij nuk e do murin, dhe as demokratët që kontrollojnë sot Dhomën e Përfaqësuesve. Është `Jo-ja` e prerë e tyre që i tregoi se nuk do t`i merrte paratë e kërkuara nga Kongresi për ngritjen e murit kufitar, çka solli për rrjedhojë mosfirmosjen e zhbllokimit te fondeve për financimin e qeverisë nga ana e tij dhe mbylljen më të gjatë në historinë e SHBA-së.

“President Trump, hiq dorë nga ideja e murit. Është shumë e thjeshtë: ligjvënësit nuk janë të interesuar në `zhvatjen` e taksapaguesve amerikanë për një politikë të panevojshme, joefikase, dhe shpërdoruese”, thotë Chuck Schumer, lideri i pakicës demokrate në Senat .

Dhoma e Përfaqësuesve votoi së fundi për të  bllokuar dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor me Meksikën, e cila do t`i mundësonte Trumpit përdorimin e fondeve të emergjencës për ngritjen e murit pa miratimin e Kongresit. Shefi i Shtëpisë së Bardhe e pa qartë se nuk i bindte dot kundërshtarët politikë; demokratët e kanë theksuar në më shumë se një rast se muri është i shtrenjtë dhe i pafrytshëm, dhe në vend te tij, janë pajtuar vetëm me një paketë shpenzimesh prej 1.4 miliardë dollarësh për ngritjen e pengesave kufitare në Teksas. Po atëherë, në kushte të tilla aspak të favorshme për këtë plan, përse Trumpi këmbëngul me kaq kryeneçësi ta çojë deri në fund idenë e vet?

“Muri u kthye në një simbol të presidencës së Trumpit, në një premtim se do ta kufizojë emigracionin. E vërteta është se ai e ka bërë më të vështirë emigrimin që njerëz që përpiqen të hyjnë në vend, legalisht dhe ilegalisht, e megjithatë, zbatimi i projektit të murit, vazhdon t` rrëshqasë nga duart”, shkruan The Guardian.

Hyrja në Amerikë mund të jetë vështirësuar,  e ndoshta muri, siç pretendon Trumpi, do ta vështirësojë edhe më shumë. Çështja është për shumë njerëz në Amerikën Qendrore, që i largohen skamjes e konflikteve, asgjë nuk është pengesë e mjaftueshme për t`I mbajtur larg ëndrrës për një jetë më të mirë, as edhe vetë vdekja.

“Emigrantët i shohin Shtetet e Bashkuara si Tokën e premtuar, si tokën e mundësive të mëdha. Ata nuk ndikohen fare nga çfarë thotë Trumpi, nuk i intereson nëse do të ketë një mur apo jo. Kjo gjë nuk ka asnjë influencë mbi ta, do të duan të bëjnë përsëri të njëjtën gjë”, thotë Blanca Rivera, menaxhere e Dhomës së emigrantëve, Ciudad Juarez.

“Ndërtimi i murit thjesht do t`i shtyjë njerëzit te kërkojnë zona më të rrezikshme kalimi dhe më shumë prej tyre do të vdesin”,  thotë një aktivit.

 Aktivistë dhe njohës të problematikave rajonale thonë se kjo, është në fakt kriza e vërtetë në kufi, njerëzit që humbin jetën në përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë. Ata kujtojnë se sot më shumë persona kthehen sesa hyjnë në SHBA nga Meksika, dhe kjo i detyrohet pjesërisht politikave të ashpra që ndërmori administrata Obama.

 “Obama deportoi më shumë meksikanë sesa mjaft presidentë të tjerë përpara tij, ndaj muri dhe fjalimet e Trumit mbi emigracionin nuk  ndryshojnë shumë nga ato të paraardhësit”, thotë Kenia Meda, analiste e marrëdhënieve ndërkombëtare.

 Ndërkohë, dallga masive e emigrantëve kohët e fundit nuk ka qenë nga Meksika, por nga vende të tjera të Amerikës Qendrore si El Salvadori, ku njerëzit përballen me një varfëri mbytëse në rritje dhe spirale dhune që nuk shuhen kurrë.

“E kemi që tani një mur, madje besoj se janë tre, por mua personalisht nuk më kanë ndaluar kurrë. Nuk mendoj se ky muri i ri do të ndalojë njeri. Është thjesht një fjalim i ri. Dhe para të çuara dëm, sepse mund të përdoreshin fare mirë për gjëra të tjera”, shprehet Daniel Almazán, emigrant nga Guerrero.

“Edhe nëse deporton miliona, edhe nëse ndërton murin e madh kinez, ne prapë do të përpiqemi të hyjmë, sepse ata nuk e  kuptojnë dëshpërimin tonë, nuk kuptojnë që ne kërkojmë t`i largohemi rreziqeve në vendet tona, se ajo që duam në fund të fundit, nuk është veçse një shpresë për të ardhmen”, thotë një tjetër emigrant. /tch/

Exit mobile version