Poezi: Ron Whitehead
Përktheu: Fadil Bajraj
Shumica janë të vdekur, disa ende jetojnë
por të gjithë janë larguar tash nga jeta ime.
Ka raste, gjatë ditës, gjatë natës,
veçanërisht gjatë sezonit të festave,
kur jam i mbushur me pikëllim. Dhe duke folur vetmevete
me zë të lartë, them:
“Të lutem, mos thuaj lamtumirë. Mos u hallashtis, mos qaj.
Nuk ka rëndësi se ku do të shkosh, ti do të jesh gjithmonë me mua.
Asgjë nuk humbet, asgjë nuk harrohet.”
Atëherë ndodh diçka magjike dhe misterioze.
Bash në mes të pikëllimit, dhe kujtimit të asaj që ishte
ama kurrë nuk do të jetë më, e kuptoj se koha e kaluar
me ata që tash nuk janë më ishte dhuratë. Ndërsa dhurata
e kohës sonë së bashku, pavarësisht se si mbaroi ajo kohë,
më pasuroi shpirtin, duke më bërë të aftë të shërohem.
Dhe zemra ime e plagosur bëhet përsëri e plotë,
duke më frymëzuar, pavarësisht lotëve, të këndoj këngë gëzimi.
Zemra ime rrezatuese qesh tash më shumë se ndonjëherë më parë.
Kur retë e zeza mbushin qiellin, kur vetëtima shkreptin
ndërsa bubullima gjëmon, unë pëshpëris: “Të falemnderit” dhe vazhdoj të ec.
Kur kam një vizion për një projekt kreativ,
unë ftoj njerëzit që kam besim të punojnë me mua,
njohja e forcave krijuese të universit
do të na udhëheqë derisa krijojmë një formë të re
të artit të rrjedhjes së lumit që merr frymë nga zjarri.
Ciklet e universit zhvendosen dhe lëkunden me
një fuqi natyrore pulsuese që do të jetë përgjithmonë.
Në moshën 74 vjeçare, eksitimi im për jetën nuk më pakësohet,
entuziazmi vazhdon të rritet. Kam zbuluar
mënyrën e lumturisë. Krejt jeta është ndryshim,
kështu që pavarësisht se çka po ndodh rreth meje
unë e mbush çdo frymë me një poezi mirënjohjeje,
me një këngë gëzimi. Krejt jeta, lindja rrugëtimi vdekja,
është një valle e përqafimit dhe braktisjes.