Lindita Nikolla u tërhoq këtë të premte nga detyra e kryetares së Kuvendit, detyrë të cilën ajo e mbajti për tre vite.
Kryetarja e Kuvendit zgjodhi që lajmin e tërheqjes së saj nga detyra ta jepte në foltoren e Kuvendit, në përfundim të sesionit.
Nikolla tha se u largua për arsye shëndetësore të cilat ja bëjnë të pamundur vazhdimin e detyrës, ndërsa shtoi se nuk do donte të spekulohej me vendimin e saj.
Fjala e plotë e Lindita Nikollës:
“E mora fjalën në fund të këtij sesioni të gjashtë të legjislaturës X-të të Kuvendit të Shqipërisë, për të ndarë me të gjithë ju një informacion që në respekt të institucionit besoj se duhet ta jap duke ju parë në sy.
Të dashur kolegë të mazhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare!
Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon.
Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë.
Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im.
Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë.
Nëse në momente të caktuara, aspak të lehta, kur kjo sallë ka përjetuar situata të palavdërueshme konflikti, kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes dhe rregullores së këtij Kuvendi, këtë nuk e kam bërë si palë po si e para mes 140 të barabartëve.
Fatmirësisht, përtej akteve të politikës teatrale këtu në këtë sallë, ku kam marrë edhe ndonjë sulm të pamerituar verbal, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë që të gjithë ju.
Ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që të gjithë të keni të njëjtën mbresë nga unë.
Dua të falënderoj të gjithë administratën e Kuvendit për punën e madhe që bën çdo ditë në mbështetje të veprimtarisë parlamentare.
Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e shërbimeve mbështetëse për përkushtimin e tyre në punë.
Dua t’ju uroj me gjithë zemër të gjithëve ju që të keni motivimin, angazhimin e shëndetin e plotë për të vazhduar misionin fisnik të përfaqësimit të shqiptarëve. Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap.
Shumë faleminderit me mirënjohje të thellë për kolegët që më dhanë privilegjin e besimit të tyre për këtë detyrë, për zgjedhësit që më dhanë votën e tyre për t’i përfaqësuar në këtë Kuvend, ku do bëj më të mirën deri në fund dhe për familjen time që më ka qëndruar pranë në çdo hap.
Tanimë do të kem më shumë kohë e mundësi t’u qëndroj unë më pranë si familjes, ashtu edhe zgjedhësve të mi.
Një mirënjohje e falënderim të veçantë kryetarit dhe kryeministrit tonë, si edhe shokut tim tanimë të vjetër të armëve, Edi Ramës, pa besimin dhe mbështetjen e tij të përhershme, qysh kur mora drejtimin e njësisë administrative numër 1 të Tiranës 17 vite më parë, nuk do të kisha arritur dot të bëja kaq shumë rrugë.
Gjithë të mirat për ju dhe familjet tuaja. Faleminderit edhe njëherë”,-tha ajo nga foltorja e Kuvendit.