Mjekët kanë thënë se Haris Mockbill, që lindi 16 javë para kohe në një spital në Birmingham të Anglisë dhe peshonte vetëm 700 gramë, e kishte shumë të vështirë të mbijetonte.
Por, vogëlushi të cilin nëna e solli në jetë kur ishte shtatzënë në javën e 24-të, përkundër të gjitha pritjeve, festoi ditëlindjen e parë me shëndet të plotë, transmeton Telegrafi.
Në dy javët e para, gjendja shëndetësore e fëmijës që mbahej në inkubator ishte kritike, derisa prindërve iu ishte thënë të përgatiten për më të keqen.
Duke parë se gjendja nuk po i përmirësohej, si përpjekje e fundit për ta mbajtur gjallë, nisën t’i jepnin steroide, që ia shëruan mushkëritë e sëmura dhe shëndeti nisi t’i përmirësohej. Kjo bëri që brenda disa javësh, të largohej nga reparti intensiv, por të mbahej edhe më tutje nën kontrollin mjekësor.
Vogëlushi që kaloi nëpër shumë probleme shëndetësore, tani ka gjendje shumë të mirë dhe ditëlindjen e parë, ia festuan me një festë të madhe. /Telegrafi/