Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë zi, për ata që u vranë në një sulm të armatosur në një klub të homoseksualëve “Puls” në Orlando.
Njëra nga viktimat është Brenda Mekul, një nënë e guximshme e 11 fëmijëve, e cila dy herë kishte fituar betejën kundër kancerit, transmeton Telegrafi.
Brenda ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga shtënat me armë zjarri, derisa i biri i saj i ka mbijetuar këtij sulmi të pamëshirshëm.
“Ajo shpesh kishte vizituar këtë lokal për të vallëzuar. Atë natë ajo na tha lamtumirë dhe u nis për në lokal. Disa orë më vonë, kemi marrë një telefonatë ku na është thënë se është vrarë me dy plumba”, ka deklaruar i biri i saj Farrell Marshall për BBC.
Në profilin e kësaj gruaje në Facebook, është postuar një video që ishte filmuar një orë para se të qëllohej për vdekje nga terroristi i armatosur.
Se sa ishte e guximshme dhe plotë jetë kjo grua, flasin të dhënat e mjekëve të saj, në të cilat thuhet se dy herë ishte diagnostifikuar me kancer.
Për herë të parë i ishte shfaqur në gji, kurse në herën e dytë në kocka. Dhe në të dy rastet ka arritur të shërohet, falë vullnetit për jetë.
Njëri nga fëmijët e saj të shumtë, ka organizuar një fushatë për të mbledhur të holla për të ndihmuar familjet e viktimave në këtë klub. /Telegrafi/