Site icon Telegrafi

Lindelof dënon aktin ‘çnjerëzor’ të vrasjes së dy tifozëve suedezë

Victor Lindelof u ka dërguar ngushëllimet më të sinqerta familjeve të dy tifozëve suedezë që u vranë nga të shtënat në Bruksel.

Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes kualifikuese të Suedisë për Euro 2024 ndaj Belgjikës në Bruksel dhe ndeshja -në të cilën Lindelof ishte kapiten i suedezëve u ndërpre pas pjesës së parë.

Dy tifozë të veshur me fanella të Suedisë u qëlluan për vdekje dhe kryeministri belg Alexander De Croo pretendoi se viktimat ishin në shënjestër për shkak të kombësisë së tyre.

Si rezultat, tifozët u mbajtën të mbyllur brenda stadiumit “King Baudouin” deri në orën 4 të mëngjesit, ndërkohë që burime të shumta kanë raportuar që policia belge ka vrarë sulmuesin.

Lexo po ashtu Tifozët e Belgjikës dhe ata të Suedisë mbesin të ngujuar në stadium shkaku i sulmit të dyshuar terrorist

Lindelof ka postuar një deklaratë në platformën X, ku shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe mosbesimin e tij se një ngjarje kaq tragjike ka ndodhur.

Ai shkroi: “Jam i tronditur dhe i shkatërruar nga incidentet e tmerrshme në Bruksel me sulmet me zemër të ftohtë ndaj bashkëkombësve tanë suedezë. Unë kam humbur fjalët për mizorinë dhe çnjerëzimin, dua të dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet dhe miqtë e të prekurve.

Lindelof ka shpjeguar se si ka folur me bashkëlojtarët e tij dhe lojtarët e Belgjikës dhe është arritur një marrëveshje për të ndërprerë lojën.

“Unë u përpoqa të flas me të gjithë lojtarët se si ndiheshin, dhe më pas ndjeva se doja të flisja me lojtarët belgë. Iu shpjegova situatën dhe e kishim shumë të qartë se nuk donim të vazhdonim dhe ata e kuptuan plotësisht këtë”, ka thënë mbrojtësi suedez.

Lindelof ka luajtur për Suedinë që nga viti 2016 dhe ka bërë 61 paraqitje për vendin e tij.

Deri më tash ende nuk është konfirmuar se kur të dyja skuadrat do ta përfundojnë ndeshjen kualifikuese. Në momentin e ndërprerjes së saj, rezultati ishte i barabartë 1-1./Telegrafi/

Exit mobile version