Në të gjithë botën thuajse është ngritur zëri për rastin e paprecedentë të vdekjes së George Floyd.
Afro-amerikani u trajtua keq nga një polic vetëm sepse ishte njeri me ngjyrë, derisa ai iu ndal fryma dhe ndërroi jetë.
Në internet dhe gjithandej në rrjetet sociale ka filluar një fushatë sensibilizimi kundër racizmit, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si trajtohen njerëzit me ngjyrë edhe në shekullin e 21-të.
Këngëtarja e njohur shqiptare, Linda Halimi, e cila prej vitesh jeton në ShBA përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Instagram, ka treguar se kur u largua për në Amerikë, kishte të tjera përshtypje për tokën e largët.
Ajo thotë se kur e pa realitetin me sy, filloi të ndjejë dhembshuri.
“Kur erdha për herë të parë në ShBA, unë erdha me idenë që kjo është toka e lirë! Toka ku të gjithë trajtohen në mënyrë të rregullt! Kjo është ajo që mësova kur mësova këngën ‘Banner Spangled Star’.
-Përreth tokës së të lirë dhe shtëpisë së guximtarëve!
Pastaj erdha këtu dhe pashë realitetin e kundërt!
Nuk do ta kuptoj kurrë! Jam e lënduar”, kanë qenë fjalët e këngëtares në imazhin e shpërndarë në Instagram.
Në mbishkrimin e saj, Linda Halimi shkruan se i vjen keq për ata njerëz që bien pre e diskriminimit, pasi askush në këtë botë nuk zgjedh përkatësinë etnike apo ngjyrën e lëkurës së tij.
“Më vjen keq për të gjithë ata që duhet të përballen me diskriminimin, thjesht sepse ata janë të një etnie të caktuar, dhe hija e lëkurës së tyre – disa gjëra ne nuk mund t’i zgjedhim! Zot i dashur, të lutem udhëzoji ata sepse ata nuk dinë se çfarë bëjnë”, ka shkruar këngëtarja me prejardhje nga Vitia.
Linda përndryshe është e martuar me reperin afro-amerikan, Big D, dhe së bashku kanë një vajzë. /Telegrafi/