Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë konsumimin e lëngjeve gjatë ftohjes dhe gripit për të parandaluar dehidratimin
Sipas dietologes Michele Sidorenkov, konsumimi i pijeve të ëmbëlsuara, siç është limonada, mund të duket si një mënyrë e mirë për të qëndruar të hidratuar, por nuk është aq e thjeshtë, transmeton Telegrafi.
“Krahasuar me frutat e plota, lëngu i ëmbëlsuar dhe i përpunuar nuk ofron ndonjë përfitim të vërtetë ushqyes dhe mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të konsumuar marrëzisht sasi të mëdha të sheqerit shtesë të panevojshëm”, thotë ajo.
Kur jemi të sëmurë dhe humbasim lëngjet e trupit, me djersitje, të vjella ose diarre, ne gjithashtu humbasim elektrolitet, kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të konsumojmë sasi më të mëdha të lëngjeve.
“Ju ende mund të pini limonadë”, thotë Sidorenkova, “por edhe limonada e bërë nga limonët e freskët të shtrydhur nuk siguron sasinë e konsiderueshme të elektroliteve që ju nevojiten”.
A mund të ndihmojë vitamina C në limonadë në trajtimin e ftohjes dhe gripit?
Ekzistojnë dëshmi kontradiktore nëse vitamina C mund të rrisë vërtet sistemin imunitar dhe ta mbrojë atë nga viruset e dëmshme dhe bakteret.
Sidoqoftë, një meta-analizë e nëntë sprovave klinike, e botuar në BioMed Research International, zbuloi se një dozë më e lartë e vitaminës C, e konsumuar në fillimin e ftohjes, ndihmoi në zvogëlimin e kohëzgjatjes së sëmundjes dhe zvogëlimin e simptomave të saj.
Megjithatë, përfitimet e vitaminës C rrjedhin nga marrja e përditshme afatgjatë, jo vetëm nëse dikush është tashmë i sëmurë.
Përfundim
Vetëm për shkak se nuk ka prova që sugjerojnë se limonada mund të kurojë gripin, nuk do të thotë që ju duhet ta shmangni atë. Sigurisht, si me çdo gjë, moderimi është çelësi.
Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që gratë të mos konsumojnë më shumë se 25 gram sheqer të shtuar në ditë, ndërsa burrat – 36 gram.
Nëse dëshironi të shmangni sheqerin e tepërt, Sidorenkov rekomandon që të bëni vetë limonadë me limon të freskët, në vend që ta blini atë në dyqan.
/Telegrafi/