Drita ka marrë fitoren e parë historike në arenën ndërkombëtare.
Kampioni në fuqi i Kosovës arriti fitore pas 120 minutave 2-0 ndaj skuadrës Santa Coloma të Andorrës.
E për këtë fitore historike të Dritës ka folur kapiteni i saj Ardian Limani në emisionin Dueli Botëror në RTV Dukagjini.
“Shpresojmë që ta përfaqësojmë sa më mirë Kosovën në Evropë. E kemi edhe ndeshjen finale dhe ta shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Ishte ndeshje e madhe pasi kemi hyrë në histori të futbollit kosovar që kemi marrë fitoren e parë në Evropë. Ishte ndjenjë shumë e bukur”, u shpreh Limani.
Tutje kapiteni i Dritës ka folur edhe për atmosferën që po mbizotëron tek lojtarët.
“Jemi liruar shumë psiqikisht pasi kemi shënuar një fitore të vlefshme. Atmosfera si pas çdo fitore është shumë e mirë dhe do të tentojmë ta bëjmë më të mirën edhe në finale”, tha Limani direkt nga Gjiblartari për Duelin Botëror në RTV Dukagjini.
Fitores së Dritës i gëzuan edhe dy ish-trajnerët e saj Bylbyl Sokoli e Ismet Munishi që ishin të pranishëm në studio.
Si Munishi ashtu edhe Sokoli thanë se Drita luajti mençur dhe se e meritoi fitoren.
Dritën për fitoren e parë historike e përgëzuan edhe mysafirët tjerë si humoristi Rasim Thaqi, këngëtari Hekuran Krasniqi dhe futbollistja Jehona Shala. /Telegrafi/