Telegrafi

Limaj: Deri në fund të javës, platforma për dialogun shkon në Kuvend

Bashkëkryesuesi i Ekipit për dialog me Serbinë dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj është shprehur optimist se më së largu deri në fundin e javës, platforma për dialog do të shkojë në Kuvend.

Pas takimit me ekipin negociator, Limaj ka thënë se platforma e dialogut është një dokument shumë i rëndësishëm.

Sipas tij, ditëve në vijim do të finalizohet puna e ekipit, transmeton Telegrafi.

“Deri në fund të javës, platforma për dialogun do t’i dorëzohet Parlamentit. Ajo që ne po bëjmë është të kryejmë punën tonë. Nesër janë edhe disa detaje që duhet ti punojmë”, ka thënë Limaj.

Ai tutje deklaroi se çdo fjalë që shkruhet në këtë platformë, ka një rëndësi të madhe.

“Jemi duke punuar në një dokument shumë të rëndësishëm, dhe të jemi të përgjegjshëm për çdo fjalë”, tha Limaj para gazetarëve.

Ndryshe, ekipi negociator është takuar edhe gjatë ditës me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. /Telegrafi/