Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk preokupohet me shkuarjen në Bruksel në takim mes palëve të dialogut me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Nuk është preokupimi im, kur do të shkojmë në Bruksel, por të arrijmë një herë konsensusin. Në delegacion të jenë ekipë e gjerë, të cilët do të shkonim që t’ja sjellim një marrëveshje të duhur të Kosovës, e jo të shkohet atje pas asnjë letër, siç ka ndodhur më herët dhe kanë sjellë marrëveshje të këqija,” është shprehur Limaj para gazetarëve, raporton EkonomiaOnline.
Ai thotë se temat e mbetura me Serbinë do të marrin kohë, derisa është pyetur për mundësinë e përmbylljes së dialogut në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Me Serbinë kemi tema mjaftë të komplikuara. Do të marrin kohë. Pa u shtruar çështja e të pagjeturve, deri tek energjia, dhe këto tema nuk mund të ecin kaq shpejt. Kosova duhet të miratojë temat, dhe për ato tema do të mblidheshin ekspertë që do të çonin në një marrëveshje. Në Kosovë është i nevojshëm uniteti,” është shprehur Limaj.