Site icon Telegrafi

Limaj: Kur e sheh që nuk e ka Kosovën, Vuçiqit i shfaqen fytyrat tona (Video)

Kryetari i NISMA Socialdemokrate njëkohësisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se nëse klasa politike e Kosovës vazhdon me trendin e njëjtë do të formohet në Kosovë një “Republika Srpska”.

“Nëse ne nuk dimë të unifikohemi. Do të na vjen momenti ma i zi. Nëse vazhdojmë kështu ka me na ardhur një ‘Republika Srpska’”, tha Limaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Duke folur për mungesën e kuorumit ditën e votimit të grupit të bisedimeve, Limaj tha se ishte e qartë vendimi i marrë nga Vuçiqi.

“Lista Srpska ka pasur vulën nga Beogradi për të bojkotuar këtë votim. Vuçiqi e di pse nuk ka dëshirë të ulet me ne në tryezën e bisedimeve, sepse nuk e ka Kosovën. Edhe e kur e sheh se nuk e kanë Kosovën, u shfaqen fytyrat tona. Për dallim prej nesh që harrojmë, ai e di pse nuk e ka Kosovën”.

Limaj ka thënë se sot në Serbi të gjithë njerëzit e përfshirë në luftë e që janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare po integrohen në sistemin politik e ushtarak.

Ai ka thënë se ende në Serbi shqiptarët konsiderohen si njerëz të malit e shumë ofendime të tjera.

“Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë në Serbi po konsiderohet si një fitore e madhe. Mirë është për ne, të analizohen mesazhet e atij fjalimi, nuk kemi nevojë të bëjmë si ai”, tha Limaj përcjell Telegrafi.

Zëvendëskryeministri ka thënë përmendja e Millosheviqit dhe tre gjeneralëve që janë gjykuar për krime në Kosovë nga Vuçiqi, shpërfaq më së miri se kush është president i Serbisë.

“Ai na dha mundësinë me fjalimin e tij se kush është ai njeri, dhe tani del e flet se kush është i pranueshëm për të e kush jo”, deklaroi Limaj./Telegrafi/

Exit mobile version