Site icon Telegrafi

Limaj: Vendimi për rinumërim të pjesshëm i KQZ-së, i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se vendimi i KQZ-së për rinumërim të pjesshëm të vendvotimeve është i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit.

Limaj në një shkrim të bërë në Facebook, ka shkruar se kërkon urgjentisht që KQZ ta pranojë gabimin në tërësi dhe jo pjesërisht dhe të krijojë kushte për rinumërim të secilës kuti për të nxjerrë rezultatin zgjedhor ashtu siç është brenda kutive, siç ka shkruar ai  t’i eliminojë të gjitha këto gabime skandaloze, shtrembërimin e rezultatit dhe shumë defekte që janë përcjellë nga ky gabim, transmeton Telegrafi.

“KQZ e di mirë se pa e eliminuar këtë gabim, duke rinumëruar në tërësi çdo kuti të votimit, nuk do të jetë në gjendje të shpallë rezultat zgjedhor në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Rregullores së punës së KQZ- së”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Lexo po ashtu KQZ vendos për rinumërim të 313 vendvotimeve

Shkrimi i plotë:

“Vendimi për rinumërim të pjesshëm i KQZ-së, i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit

Çka tha KQZ?

Formularët janë shtypur gabimisht. I kujt është gabimi do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme dhe do të dihet si ka ardhur të shtypja e gabueshme.

Sekretariati është përgjegjës për shpërndarjen e formularëve në të gjithë Kosovën.

Subjektet të cilat kanë qenë të renditura në fletëvotim dhe janë renditur edhe në formularë, subjektit të parë i mungon rubrika dhe për rrjedhojë disa komisionerëve që u është ndezur llamba, i kanë shkruar me saktësi dhe disave që s’u është ndezur i kanë shkruar prej subjektit të dytë.

Kështu ka deklaruar dje kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se këta formularë nuk mund të procedohen si të tillë.

Duke iu referuar këtij qëndrimi me lartë të KQZ-së i cili konstaton qartë gabimet në formularin e shpërndarë, vendimi i KQZ-së për të rinumëruar pak më shumë se 300 kuti është skandaloz.

Nuk ka nevojë të pritet raporti i QNR-së për të zbuluar gabimin për të cilin znj. Daka konstatoi që formulari është lëshuar me gabime nga sekretariati i KQZ-së.

Ky vendim do të kishte kuptim sikur të kishte dy formularë të ndryshëm. Por përderisa dihet se është vetëm një formular i shtypur në një vend dhe i shpërndarë në të gjitha vendvotimet e Kosovës, atëherë shtrohet pyetja si është e mundur që një formular nuk mund të procedohet për 300 kuti, derisa qenka e mundur të procedohet për mijëra kuti të tjera.

Ky është aplikim i standardëve të dyfishta që do të thotë për një kuti mund të procedohet, për kuti tjera s’mund të procedohet.

Si mund të vlerësohet e pranueshme apo e ligjshme ndërhyrja në formularë nga ana e personave të paautorizuar (komisionerëve në vendvotime) pa autorizimin e organit kompetent. (Fjala është që në shumë formularë komisionerët duke parë gabimin në formularë, kanë ndërhyrë në bartje të rezultateve të partive politike) dhe nëse KQZ i pranon si të ligjshme këto ndërhyrje, atëherë përveç që pranon falsifikimin, bën shkelje të ligjit dhe rrënon kredibilitetin e të gjithë procesit zgjedhor.

Prandaj, ne kërkojmë urgjentisht që KQZ ta pranojë gabimin në tërësi dhe jo pjesërisht dhe të krijojë kushte për rinumërim të secilës kuti për të nxjerrë rezultatin zgjedhor ashtu siç është brenda kutive dhe t’i eliminojë të gjitha këto gabime skandaloze, shtrembërimin e rezultatit dhe shumë defekte që janë përcjellë nga ky gabim.

KQZ e di mirë se pa e eliminuar këtë gabim, duke rinumëruar në tërësi çdo kuti të votimit, nuk do të jetë në gjendje të shpallë rezultat zgjedhor në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Rregullores së punës së KQZ- së”.

Ndryshe sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, koalicioni NISMA-AKR-PD nuk ka kaluar pragun zgjedhor. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version