Telegrafi

Limaj iu bënë thirrje kandidatëve për Kryeministër që të përballen në një debat

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje kandidatëve për kryeministër nga partitë e tjera që të përballen në një debat, për të treguar se cilat janë programet e tyre.

Limaj nga takimi me strukturat e Nismës në Kaçanik tha se gara tani është duke u zhvilluar në mes të kandidatëve, e për këtë ai ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së shtetit.

“Njerëzit presin nga unë, e kur them nga unë nga të tjerët atje në publik me dal dhe me thanë cila është zgjidhja jote për dialogun, çka mendon ti për liberalizimin e vizave, çka mendon për zhvillimin ekonomik, cili është projekti yt për me u mbështet ndërmarrjet publike e private? Ti si kryeministër, cila është aftësia jote e bashkëpunimit me të tjerët? A kanë me të udhëheqë hujet e tua personale, a ka me të udhëheqë intelekti dhe profesionalizmi e kompetenca? Si ulesh në tavolinë me Serbinë? Këto pyetje duan përgjigje. Nuk mundesh me e drejtua vendin duke sha të tjerët, e duke treguar çka kanë bë ata, tregona ti çka ki me ba. Ta kthejmë këtë garë ne mes 5 kandidatëve le të fitojë më i miri dhe unë ai që fiton ia zgjat dorën”, tha Limaj.

Ai theksoi se është i gatshëm të ballafaqohet me secilin veç e veç edhe me të gjithë së bashku, ku ai tha se në këtë përballje do të dilte faqebardhë. Limaj shtoi se ka refuzuar postin e kryeministrit disa herë, pasi që nuk e kishte ndjerë vetën të gatshme, por që tash ai tha se është i gatshëm për ta drejtuar vendin.

Limaj ka kërkuar nga qytetarët e Kaçanikut që ta mbështesin dhe t’i votojnë dy kandidatët e Nismës nga kjo komunë.

Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi tha se duhet të punojnë të gjithë për ta bërë kryeministër Fatmir Limaj, e kjo sipas tij do të bënte që pastaj të punohej për shtetin.

“Po kthehemi serish këtu, po na i qesin zgjedhjet shpesh, nuk po munden me duru po dorëzohen. Prandaj nevojitet një njëri që nuk dorëzohet kurrë, ia jep për 4 vite dhe e mban 4 vite, Fatmir Limaj… Pa Nismën, pa koalicionin rreth Nismës nuk ka qeveri në Kosovë. Nisma është e pashmangshme, e pakapërcyeshme në qeverinë e ardhshme, kontributi i saj është i domosdoshëm në fazën që po hyjmë”, tha ai.

Sherifi shtoi se nuk duhet të provojnë njerëz të rinj, por duhet t’u besohet atyre që janë sprovuar me të gjitha betejat e Kosovës.

Kryetari i degës së Nismës në Kaçanik, Agim Çaka tha se koalicioni Nisma-AKR-PD e ka kandidatin më të duhur për kryeministër.

“Ne si degë në Kaçanik në asnjë moment nuk kemi dështuar me planet dhe projektet tona organizative. Nuk ishte e lehtë kur e themeluam këtë parti të vogël me ambicie të mëdha, parti që nga fillimi ka ditur se në çfarë kohe çka po dëshiron dhe ku do të arrijë. Qëllimin e parë e kishim ta bëjmë një parti të re, parti të ndryshimeve, parti e cila u krijua në rrethana mjaftë të vështira, por që vetë fakti se kjo parti drejtohej nga njeriu i cili asnjëherë nuk ka dështuar në projektet e tij të politikberjes dhe fal dhuntisë së tij të liderit, kjo parti sot ndodhet në një fazë krejt tjetër, ku nuk diskutohet për mbijetesë, por diskutohet që kjo parti të jetë përcaktuese për proceset në vazhdim”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të punojnë të gjithë shumë, në mënyrë që të fitojë Nisma, e që pastaj sipas tij do të fitojë edhe shteti.

Kandidatë për deputet nga koalicioni Nisma-AKR-PD nga Kaçaniku janë Agim Çaka dhe Hizri Vishi, raporton KP.