Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë të mërkurën se turpi i këtij shteti të kapur ka zbarkuar i tëri në Drenas, dhe nuk po lenë formë pa përdorur për të ngulfatur vullnetin e qytetarëve të Drenasit me darka të dhunshme, me shantazhe dhe frikësime, sepse e kanë parë se Drenasi ka vendosur të ndryshoj.
Ai i ftoi monitoruesit ndërkombëtar këtu në Kosovë që të angazhohen e të mbikëqyrin zgjedhjet në Drenas.
Lexoni të plotë reagimin e Limajt në Facebook:
“Turpi i këtij shteti të kapur ka zbarkuar i tëri në Drenas, dhe nuk po lenë formë pa përdorur për të ngulfatur vullnetin e qytetarëve të Drenasit me darka të dhunshme, me shantazhe dhe frikësime, sepse e kanë parë se Drenasi ka vendosur të ndryshojë.
Dje ata vazhduan edhe me mbyllje të shkollave në fshatra të Drenasit, duke detyruar nxënës e mësimdhënës t’ju shkojnë në tubimet e tyre partiake.
Ftoj vëzhgues të pavarur nëse ka mbetur ndonjë, ftoj organizatat të monitorojnë se çfarë po ndodh në Drenas, ftoj mediet t’i përcjellin zhvillimet në këtë komunë, sepse është rasti që për herë të parë qytetarit të Drenasit të mos i devijohet vullneti i tij.
Gjithashtu, ftoj edhe monitoruesit ndërkombëtar këtu në Kosovë që të angazhohen e të mbikëqyrin zgjedhjet në Drenas.
Nëse të gjithë kontribuojmë në këtë aspekt atëherë do të mundemi që ta ndalojmë aparatin shtetëror që të mos përdorë shtetin kundër procesit demokratik zgjedhor”. /Telegrafi/