Site icon Telegrafi

Limaj thotë se të rinjve nuk u drejtohet me fjalime politike

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka takuar të rinjtë e Nismës se Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

Limaj në fillim të fjalës së tij, ka thënë se fjalimi i tij nuk do të jetë politik, por më shumë është fjalim prindëror e qytetar.

Ai tha se Kosova më shumë se kurrë më parë ka nevojë për një rini aktive, e cila nuk ia kthen shpinën problemeve.

Më tutje, ai ka thënë se jashtë vendit të rinjtë askush nuk i pret me lule dhe se më mirë se këtu nuk mund të jetojnë askund tjetër.

Kosova, thotë Limaj, ka mundësi që jo numrin aktual të banorëve, por dyfishin me mbajte, nëse secili angazhohet e punon.

“Të gjitha zotimet tona kanë qenë të lidhura me rininë. Dy kryesorët që do t’i besoj me juve është çështja e Aftësimit Profesional dhe Vetëpunësimi. Djem e vajza nëse nuk ju shkon shkolla, merrni nga një zanat dhe shteti ju mbështete. Zanati nuk ju len pa punë. Të rinjtë inovativ me idetë e tyre mund të realizojnë  përmes fondit të Vetëpunësimit. Shkoni në Qendra të Aftësimit Profesional dhe ne e marrim përsipër gjetjen e vendeve të punës. S’ka asnjë kërkese nga të rinjtë e Drenasit dhe Skenderajt të cilët kanë bërë një biznes plan për ta mbështetur përmes fondit të Vetëpunësimit”, ka thënë Limaj.

Ëndrra e rinisë, Limaj thotë se duhet të jetë shtetndërtimi. Ai ka thënë se është e pakuptimte liria nëse të rinjtë ikin nga Kosova.

Kryetari i Nismës ka thënë se nëse janë të pakënaqur me qeverinë ta ndryshojnë, por shtetin mos ta shajnë.

Limaj thotë se është e çuditshme me sa lehtësi po hiqet dorë nga vendi.

“A ka mundësi me ju kthy punës. Shteti nuk bëhet pa punu. Nuk niset puna e parë drejtor. Marre është me nejt. Nuk ka pune me marre. Kosova sot kërkon nga ju vetëm të respektoni rregullat dhe ligjin dhe të përkujdeseni për familjet tuaja”, ka shtuar Limaj.

Ai ka kërkuar nga të rinjtë të mos shihet Kosova si vend i huaj dhe se gjenerata e tij nuk është dorëzuar përballe fuqisë serbe dhe tash, Limaj thotë se të rinjtë e kanë për obligim shtetndertimin.

E, kryetari i rinisë së Nismës Socialdemokrate, Albert Maxhuni, ka ftuar të rinjtë e Drenasit dhe Skenderajt që të jenë aktiv në jetën publike. Ai tha se të rinjtë e këtyre komunave janë përdorur vetëm për votë. Maxhuni tha se Nisma po dëshmohet si parti, e cila u jep hapësire të rinjve. Politikat e Nismës Socialdemokrate, sipas tij, zbatohen dhe nuk mbesin vetëm në sirtarë. /Telegrafi/

Exit mobile version