Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka pritur në takim njohës ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar.
Limaj ka bërë me dije se në këtë takim kanë biseduar për zhvillimet politike në vend.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, Limaj ka bërë me dije se e ka njoftuar ambasadorin për angazhimet e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë si dhe procedimin në Kuvend të platformës për dialog me Serbinë.
Postimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë ta prisja në një takim njohës ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar, të cilin e urova për detyrën e re. Biseduam për zhvillimet aktuale politike në vend me theks të veçantë për dialogun Kosovë- Serbi.
Ambasadorin e njoftova me angazhimet e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë si dhe procedimin në Kuvend të platformës për dialog me Serbinë. Ambasadori turk ofroi përkrahjen e Turqisë për Delegacionin Shtetëror. Diskutuam edhe për mundësinë e dinamizimit të aktiviteteve sidomos në aspektin ekonomik mes dy vendeve. E falënderova ambasadorin për ndihmën e vazhdueshme që Turqia ka dhënë për Kosovën në vazhdimësi, e ne veçanti për ndihmën në konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/