Njëri prej kryesuesve të Ekipit negociator kosovar në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj, ka komentuar nëse do të përfshihet tema e të zhdukurve të luftës në bisedimet me Serbinë.
Limaj ka konfirmuar se tema e të zhdukurve do të jetë qendrorja në bisedimet mes Kosovës e Serbisë.
‘‘Përveç temës kryesore – që është njohja [e Kosovës shtet] dhe që është tema më e madhe politike – nga nën temat kryesore ka me qenë tema e të pagjeturve. Ajo ka me pas vendin e vet në marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ne besojmë që çështja e të pagjeturve mund të kryhet lehtë në qoftë se është vullneti’’, tha Limaj, për Insajderin.
Kryesuesi i Ekipit Negociator është shprehur i bindur që Serbia ka shënime dhe e di saktë fatin e të pagjeturve.
‘‘Ne kemi informacione nga brenda Beogradit se nga të gjitha dosjet e njerëzve të pagjetur janë në arkivat shtetërore të Shërbimit ushtarakë dhe policor të shtetit serb. Njëra nga pikat që ne do të kërkojmë do të jetë hapja e arkivave shtetërore’’, ka thënë ai.
Në lidhje me temën e personave të zhdukur, ka folur edhe Ibrahim Makolli, kryetar i Delegacionit të Kosovës për Bisedime për të Zhdukurit.
Makolli ka thënë për Insajderin se Kosova avancon në rajon për sa i përket zgjidhjes së fatit të tyre, megjithatë, derisa të mos zgjidhet fati edhe i personit të fundit të zhdukur, nuk mund të themi që kemi bërë mjaft.
“Ekipi negociator i Kosovës çështjen e të Zhdukurve e ka vënë në prioritet dhe është thënë se pa zgjidhjen e saj nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare më Serbinë. E them që kjo çështje duhet trajtuar jo vetëm në zbulimin e fatit të tyre, por edhe në nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre krimeve”, ka theksuar Makolli.
Ai ka sqaruar se si komision kanë pasur takime me Ekipin e ri negociator “ne kemi zhvilluar takim me bashkudhëheqësin e ekipit zotin Limaj, nga i cili jemi njoftuar për synimet e Ekipit, jo vetëm në trajtimin e çështjes, por edhe në zgjidhjen e saj”.