Kryetari i “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka theksuar se qytetarët e Drenasit votuan për ndryshim.
Sipas tij, duhet drejtuar një falënderim i veçantë banorëve të Drenasit për një proces të rregullt dhe demokratik.
Ai këto komente i ka bërë në konferencën e mbajtur për media në zyrat e partisë së tij.
“Merita kryesore për mbarëvajtjen e këtij procesi ju takon qytetarëve të Drenasit. Ata dhanë një shembull, nduke treguar se nuk është ai Drenasi që është krijuar percepcioni më herët”, ka shtuar Limaj.
I pari i “Nisma për Kosovën”, ka thënë se i falënderon të gjithë simpatizantët dhe aktivistët e partisë së tij të cilët, sipas tij “përkundër shantazheve dhe vështirësive nuk u dorëzuan”.
Ndërsa, kandidati i “Nisma për Kosovën” për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, i cili do ta vazhdojë garën e balotazhit më kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Lladrovci, ka thënë se falënderon qytetarët e Drenasit që kanë votuar për ndryshime.
Ai ka falënderuar të gjithë simpatizantët, vëzhguesit dhe komisionerët e “Nisma-s”, duke theksuar se ata nuk janë dorëzuar.
“Unë i falënderoj edhe kandidatët tjerë për kryetar të Komunës, të cilët ishin shumë korrekt gjatë gjithë garës, ku edhe ata i prinë procesit të ndryshimeve në Drenas”, ka shtuar Xhemajlaj. /Telegrafi/