Site icon Telegrafi

Limaj i quan heronj prodhuesit vendorë, fton qytetarët t’i kthejnë sytë nga prodhimet vendore

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka vizituar fabrikën S//Sprint, e cila merret me prodhimin e veshjeve sportive. Me këtë rast ai është zotuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë edhe më fuqishëm prodhuesit vendorë.

Madje, zëvendëskryeministri Limaj i ka quajtur heronj prodhuesit vendorë dhe i ka ftuar qytetarët t’i kthejnë sytë nga prodhuesit vendorë.

“Qeveria e Kosovës e ka vendosur si prioritet mbështetjen e prodhuesve vendorë. Në këtë drejtim ne kemi marrë edhe disa masa të cilat kanë për qëllim krijimin e lehtësirave për bizneset vendore. Kosova përfundimisht do ta rregullojë tregun e brendshëm. Askush nuk na ndalon që t’i mbështesim prodhuesit vendorë”, ka thënë  Limaj.

Limaj është impresionuar me punën që po bëjnë punonjësit e kësaj fabrike, duke shtuar se produktet e fabrikës S//Sprint nuk dallojnë asgjë për nga cilësia me produktet e fabrikave të vendeve evropiane. Sami Sopa, drejtor i kësaj fabrike, e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Limaj me punën që bën kjo fabrikë.

Ai ka falënderuar Qeverinë për masat e ndërmarra së fundi për mbështetjen e prodhuesve vendorë. Në të njëjtën kohë ai ka ngritur si shqetësim mungesën e energjisë elektrike.

Fabrika S//Sprint ka rreth 70 punëtorë, kryesisht të gjinisë femërore. Produktet e kësaj fabrike eksportohen edhe jashtë vendit.

Zëvendëskryeministri Limaj në këtë vizitë u shoqërua nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi dhe drejtuesit e Klubit të Prodhuesve Vendorë. /Telegrafi/

Exit mobile version