Kosova përfundimisht duhet t’i kthehet vetës së saj dhe të sillet proporcionalisht në një mënyrë reciproke me të gjithë të tjerët, pasi koha kur në Kosovë kanë lëvizur, kanë folur dhe kanë vepruar në emër të saj duke mos i respektuar interesat e vendit tonë ka marrë fund.
Kështu është shprehur sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku është diskutuar tema e krijimit “Zona Ekonomike Rajonale e Ballkanit Perëndimor: implikimet më të gjëra tregtare dhe sfida në zbatim për Kosovën”.
Ai ka bërë të qartë që tash e tutje Qeveria e Kosovës do të marrë masa mbrojtëse për prodhuesit vendor.
“Besoj që Kosova përfundimisht duhet t’i kthehet vetës së saj dhe të sillet proporcionalisht në një mënyrë reciproke me të gjithë të tjerët. Koha kur në Kosovë dhe rreth Kosovës kanë lëvizur dhe kanë folur në emër të Kosovës dhe kanë vepruar në emër të Kosovës dh janë sillë me Kosovën duke mos i respektuar interesat e saj ka marrë fund. Për çfarë zone të lirë rajonale ne flasim kur ende kemi problemin e qarkullimit të Kosovë-Bosnje dhe njerëzit tanë qarkullimi i njerëzve është më i vështir në drejtim të Bosnjës së në çfarë do vendi tjetër gati të BE-së “, tha Limaj.
Ai ka shtuar se mos njohja e Kosovës të pavarur dhe problemet tjera politike janë barrierat kryesore për mendimin e tij që Kosova të mban qëndrim si do të ec më tutje.
“Andaj Qeveria e Kosovës i ka vë prioritete të fuqishme stimulimit fuqizimit të prodhuesve vendor.. Jemi duke e pritur një listë, jemi duke e përgatitur një listë të produkteve të cilat do të marrim masë mbrojtëse në raport me Serbinë, kështu do ta bëjmë edhe me Maqedoninë, Bosnjën dhe gjitha vendet të cilat veprojnë dhe sillen në të njëjtën mënyrë ndaj ekonomisë dhe prodhimit të vendit tonë“, tha Limaj.
Ndërsa, Anastasia Johansson, zyrtare ekonomike dhe politike në Zyrën e BE-së në Kosovë, ka thënë se mbetet me shpresë që zona ekonomike rajonale do të lehtësojë procesin e integrimit rajonal.
“Potenciali më i mirë për rritjen e integrimit ekonomik për rajonal do të dalë prej mobilizimit të shërbimeve, investimeve, lëvizjen e punëtoreve dhe natyrisht edhe adresimin e barrierave tregtare ”, tha Johansson.
Kurse, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka prezantuar një analizë politikash e cila ka të bëjë me implikimet më të gjera tregtare të Zonës Ekonomike Rajonale dhe sfida e zbatimit të saj për Kosovën.
“Kemi analizuar se cilat janë përfitimet që do të kishte Kosova së bashku me rajonin nga të qenurit pjesë e kësaj zone dhe një përfitimet kryesore është që kjo zonë synon të mbështes një integrim më të madh ekonomik të rajonit dhe njëkohësisht të përforcoj kapacitetet e vendeve që të arrin që të përmbushin kriteret ekonomike për integrim në BE por njëkohësisht të impelementojnë në nivel rajonal për para se këto vende t’i bashkohen BE-së”, tha Loxha.
Problemet si CEFTA, si dhe pengesat tjera që Serbia pengon Kosovën, ishin diskutimet që u theksuan në këtë tryezë. /Telegrafi/