Telegrafi

Limaj: Prekazi duhet të na kujtojë se lirinë e kemi falë sakrificës së familjes Jashari

Nderime tek varrezat e familjes Jashari në 21 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, ka bërë edhe partia Nisma Socialdemokrate.

Kryetari i kësaj partie, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se ardhja në Prekaz duhet të shërbejë për të kujtuar se atë që e gëzojnë është rezultat i një sakrifice të një familjeje.

“Sot sikur çdo vit në këtë datë të shenjtë qytetarët e Republikës së Kosovës, shqiptarët kudo që janë vijnë për të nderuar dhe për të shprehur respektin dhe përuljen para një personaliteti të madh, i cili ndryshoi rrjedhat e historisë jo vetëm të Kosovës, jo vetëm të kombit shqiptar, por besoj të rajonit”.

“Ardhja në Prekaz duhet të shërbejë për të gjithë ne për të kujtuar se atë që sot ne e kemi dhe e gëzojmë është rezultat i një sakrifice biblike, të panjohur në këtë pjesë të Evropës”, tha Limaj.

Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku ka rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari dhe anëtarë tjerë të kësaj familje.

Për nder të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” sot Kuvendi i Kosovës mban një seancë solemne si dhe në orët e pasdites mbahet një akademi përkujtimore. /Telegrafi/