Site icon Telegrafi

Limaj për takimin në Bruksel: Do t’u tregojmë se nuk mund të na trajtojnë si emigrantë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se në takimin e radhës në Bruksel, do të shkojnë për t’ua thënë zyrtarëve evropianë disa gjëra që pala kosovare nuk i ka thënë më parë.

“Në Bruksel do të dëgjojnë disa gjëra që nuk i kanë dëgjuar më parë”, ka thënë Limaj, duke folur për mundësitë e liberalizimit të vizave këtë vit.

“Presim që Kosova të trajtohet ndryshe. Besojmë se nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë krahasuar me vendet e rajonit. Nuk duam favorizime, por duam që të trajtohemi barabartë. Është koha përfundimisht që Kosova të shihet ashtu si është  nga Brukseli. Ne nuk jemi migrantë, dhe s’mund të trajtohemi si të tillë, jemi vend që duam të jemi pjesë e BE-së”, ka thënë Limaj në Zona B, në Klan Kosova.

Kryetari i Nismës për Kosovën ka folur edhe për unitetin të cilin duhet ta ketë pala kosovare në raport me Serbinë.

“Unë dua që të jemi bashkë – do të mundohem me secilin të bisedoj, pasi jam i bindur se është e vetmja rrugë. Mendoj se të gjithë do të bëhemi bashkë. Edhe nesër do të shkojmë në Bruksel për ta rikonfirmuar qëndrimin e Kosovës, jo vetëm të pozitës; Kosova është për dialog”.

“Ne duhet ta ndërtojmë një ekip, një ekip që tregon një konsensus sa më të gjerë, për të qenë sa më të përgatitur për këtë fazën finale dhe për të gjetur rrugën e afrimit”, tha Limaj.

Exit mobile version