Telegrafi

Limaj paralajmëron ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, së bashku me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, kanë vizituar Odën Ekonomike të Kosovës, ku kanë biseduar për bashkëpunimin dhe avancimin e proceseve ekonomike dhe Limaj paralajmëroi ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore

Limaj ka deklaruar se janë të përkushtuar që të mbështesin Odën Ekonomike, duke premtuar trajtim të dinjitetshëm për bizneset vendëse.

Duke i quajtur prodhuesit vendës ambasadorë, Limaj tha se Qeveria do të jetë partnere e atyre që janë gjenerues të vendeve të reja të punës.

“Ne do të jemi afër jush për aq sa e lejon korniza ligjore dhe nëse ka ndonjë ligj që e pengon zhvillimin ekonomik ai duhet të ndryshohet. Kemi vullnet si Qeveri dhe do të bëjmë hapa konkret në këtë drejtim”, theksoi Limaj, duke shtuar se prioritet yni është stimulimi i prodhuesve vendorë.

Më tutje, Limaj tha se duhen miratuar ligje që iu përshtaten nevojave dhe interesave të vendit, duke paralajmëruar ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore, në mënyre që shteti të iu ofrojë investitorëve të huaj dhe vendorë hapësirë ku ata janë të gatshëm për të investuar dhe, kjo, sipas Limajt ë shtë e rregulluar edhe me Ligjin për Investime Strategjike.

“Fatkeqësisht paragjykimet dhe perceptimi negativ vazhdon të jetë ndaj atyre që e kanë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe në këtë drejtim duhet bashkë të angazhohemi ta ndryshojmë atë ”, tha Limaj, duke potencuar nevojën e ndërtimit të partneritetit të besimit, që nënkupton ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për ta çuar përpara vendin.