Telegrafi

Limaj: Para se me qenë ushtar i UÇK-së, kam qenë intelektual, prandaj i kanë ikur debatit me kundër kandidatët

Nisma Socialdemokrate fushatën zgjedhore e ka përmbyllur në Prizren. Nga qyteti historik, kandidati i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë për projektin e bashkimit të shtetit, pasi sipas tij, pas zgjedhjeve të 6 tetorit kjo do të jetë më e mira për shtetin.

Sipas njoftimit, në përmbyllje të fushatës zgjedhore, kandidati i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj tha se vota e inatit nuk do i sjell asgjë Kosovës.

Për këtë arsye, Limaj tha se ai është kandidati për kryeministër më i përgatituri, si intelektualisht, ashtu dhe kombëtarisht.

“Gjuha populliste po merr fund në Kosovë, njerëzit kanë nevojë që të marrin oferta konkrete. Për të ecur përpara duhet votuar për projektin që bën bashkë shqiptarët”, ka thënë ai.

Limaj tregoi edhe një detaj se pse presidenti i Serbisë nuk po e don në tavolinën e bisedimeve, e sipas tij, ai është ballafaquar edhe më herët me të në Hagë, por thekson se ai do të jetë në tavolinën e bisedimeve dhe do e nxjerr Kosovën fituese.

Kryetari i degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha duke kërkuar votën për kandidatin për kryeministër, Fatmir Limaj tha se në zgjedhjet e 6 tetorit Nisma do të del fituese, dhe siç tha ai, do t’i jep kuptim institucioneve./Telegrafi/