Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili njëherësh është edhe bashkëdrejtues i Delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, ka thënë se nuk e kupton opozitën se si vazhdimisht ka folur se si Kuvendi si institucion nuk është faktor në dialog me shtetin fqinj, kurse në momentin që Kuvendi i Kosovës është faktorizuar ata e kontestojnë këtë fakt.
Lidhja Demokratike e Lëvizja Vetëvendosje e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Por, Limaj është shprehur i habitur me këtë hap.
Ai ka thënë se opozita vazhdimisht është ankuar se Kuvendi nuk ka rol në dialog dhe në momentin kur gjërat filluan të kthehen në normalitet ai tash nuk e kupton qëndrimin e tyre.
“Opozita në vend se ta fuqizojë rolin e Kuvendit ata po e kontestojnë” , ka thënë Limaj në RTK.
“Opozita a ka problem me presidentin apo s’ka, opozita më mirë është të thotë: po ia lëmë dialogun presidentit sesa ta heq ligjin”.
Limaj ka thënë se u është bërë e qartë miqve ndërkombëtarë se Kosova shkon në dialog vetëm për njohjen e Kosovës.
Ai është shprehur se Platforma e miratuar në Kuvend ka qenë investim i përbashkët me partnerët e koalicionit.
Për taksën, Limaj ka thënë se në koalicion ka këndvështrime të ndryshme dhe se ata gjenden në dialog intensiv.
Ai ka thënë se Romingu mes Kosovës dhe Shqipërisë hiqet nga 15 qershori.
Limaj nuk ka dashur të flasë rreth çështjes së punësimeve të vlerësuara pa meritë, temë që ka ditë që ka hapësirë të madhe në debatin shoqëror.