Telegrafi

Limaj: Nuk i druhem asnjë mocioni të Opozitës (Video)

Në prag të 100-ditëshit të qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur për programin qeverisës dhe projektet që pritet të realizohen nën qeverisjen e Haradinajt.

Ai ka thënë se nuk i druhet asnjë mocioni të opozitës.

”Nëse ka sukses mocioni shkojmë në zgjedhje, është krejt demokratike. Pse t’i druhemi ndonjë mocioni të opozitës“, ka thënë ai në një intervistë për RTK, duke shtuar se nëse kjo qeveri nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve, atëherë nuk ka asnjë problem që të shkoj.

Opozita tha Limaj, nuk ka asnjë arsye për ngritjen e ndonjë mocioni për rrëzimin e qeverisë.

Në emisionin politik DEBAT, Limaj dhënë hollësi se çfarë e ka karakterizuar qeverinë e Haradinajt që nga themelimi e deri më tani.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, u është përgjigjur deputetëve opozitarë të cilët kanë shumë kritika në lidhje me programin e qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Limaj thotë se opozita programin e saj duhet ta ruaj për kohën kur të vijë në pushtet.

“Programin e bën vetë qeveria. Ajo e vlerëson se çka do të bëjë në katër vite. Nuk është e domosdoshme me i pëlqy opozitës”.

“Programi qeverisës nuk është përgatitë për me i pëlqy opozitës. Është përgatitë me ja vu përpara opozitës dhe qytetarëve që më vonë ata me thënë nëse nuk janë realizuar”, tha Limaj.

Sipas tij, shumë punë janë bërë në tre muajt e parë të kësaj Qeverie.

Ai ka thënë se agjenda e zgjedhjeve komunale nuk ka ndikuar në punët e kësaj Qeverie.

Limaj ka shtuar më tej se kjo Qeveri ka listuar katër, pesë prioritete dhe janë duke punuar fuqishëm.

Rezultatet konkrete, Limaj thotë se do të shihen së shpejti.