Site icon Telegrafi

Limaj në Zagreb: Serbia ta njohë realitetin, pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur

Pavarësia e Kosovës është çështje e mbyllur dhe Serbia duhet ta pranojë këtë realitet. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në konferencën e organizuar në Zagreb me temën “Përvoja e Shteteve të Ballkanit në zgjidhjen paqësore të konflikteve”.

Përmes një postimi në Facebook, Limaj ka theksuar se Republika e Kosovës, ka marrëdhënie shumë të mira me vendet fqinjë, dhe është e përkushtuar të ketë edhe me Serbinë.

Numri dy i qeverisë së Kosovës në fjalën e tij ka thënë se është koha që edhe Serbia të luajë rol konstruktiv dhe të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë, si parakusht dhe mundësi për rajonin që të ecë përpara.

Postimi i plotë:

Pata kënaqësinë të marr pjesë në konferencën e organizuar në Zagreb me temën “Përvoja e shteteve të Ballkanit në zgjidhjen paqësore të konflikteve”.

Në këtë konferencë kam theksuar se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira me vendet fqinje, dhe është e përkushtuar të ketë edhe me Serbinë.

Është koha që edhe Serbia të luajë rol konstruktiv dhe ta pranojë realitetin e krijuar në Kosovë, si parakusht dhe mundësi për rajonin që të ecë përpara.

Çështja e pavarësisë së Kosovës është temë e mbyllur dhe këtë e di e gjithë bota. Është koha që edhe Beogradi të reflektojë dhe ta pranojë këtë realitet.
Me këtë veprim vlerësoj se Beogradi do t’i ndihmonte edhe vetes.

Të drejtat e minoriteteve, përfshirë atij serb, janë të garantuara në Republikën e Kosovës, por Serbia duhet të heqë dorë nga pretendimet territoriale.

Koha e pretendimeve territoriale dhe e shkëmbimeve të territoreve ka përfunduar. Janë teza të rrezikshme dhe as që duhet të konsiderohen si opsion. Këto teza kanë çuar në luftëra të përgjakshme në vitet e 90-ta.

Koha është që të gjithë së bashku t’i japim mundësi rajonit që të integrohet në familjen e madhe evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version