Site icon Telegrafi

Limaj në Bruksel: Kërkuam nga Mogherini angazhim shtesë për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe bashkëkryesuesi i dialogut, Fatmir Limaj nga Brukseli ka thënë se i ka kërkuar Mogherinit angazhim shtesë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Sipas Limajt, Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe këtë ia ka thënë edhe Mogherinit.

“E rëndësishme është të ceket se duhet ta dimë epilogun e dialogut. Jemi të interesuar me ra në ujdi në zemër të së cilës e kemi njohjen ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Limaj në Bruksel, shkruan Telegrafi.

Duke folur për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, Limaj deklaroi që në të ardhmen nuk do të ketë nevojë për taksa, si kjo që e ka vendosur Kosova.

“Ne e thamë edhe aty që duhet të hiqen arsyet pse ka ardhur taksa, kushte të njëanshme të Serbisë. Shikoni ne jemi me kushte të tilla me Serbinë që 10 vite por që duhet të krijojmë klimën për dialog. Në një marrëveshje finale nuk do të ketë nevojë për taksë. Ne do ta bisedojmë këtë temë edhe në Prishtinë, dhe do të gjendet rruga për të vazhduar dialogu”, ka thënë Limaj.

Zëvendëskryeministri i Kosovës u pyet edhe për deklaratat e Thaçit, i cili tha dje se vendimin për taksë e kanë marrë Kadri Veseli dhe Enver Hoxhaj.

Limaj u përgjigj duke theksuar se gara për merita nuk e dërgon askund Kosovën.

“Vendimet shtetërore janë vendime shtetërore, nuk janë individuale. Politikat i bën koalicioni dhe kryeministri. Kjo garë askund nuk na çon, ne duhet të orientohemi në zgjidhjen e problemeve”, përfundoi Fatmir Limaj.

Ndryshe, takimi i sotëm i ekipit negociator me Mogherinin është vlerësuar më shumë si konsultues. /Telegrafi/

Exit mobile version