Telegrafi

Limaj: Në bazën e UÇK-së në Berishë erdhi një luftëtar japonez (Video)

Ish-komandanti i UÇK-së dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Fatmir Limaj,  ka thënë se lufta e UÇK-së nuk ishte fetare por çlirimtare.

Limaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se në luftën e UÇK-së nuk ka pasur tendenca fetare.

“A e dini ju se unë kam pasur japonezë në luftë? Në malet e Berishës një japonez ka qenë në UÇK për pesë ditë. Si këta njerëzit që hynin e dilnin me armatim edhe ai ishte i njëjtë. Kur kam shkuar në bazë kam parë një japonez. Çka ishte kjo? Si ata tjerët [që mund të kishin simbole fetare]”.

“…Tendenca për të kompromentuar luftën e UÇK-së si luftë fetarë ke edhe sot… Së pari unë jam njeri që besoj në Zot, por janë gjëra të ndryshme [lufta e UÇK-së dhe feja]. Ne duhet ta shohim konceptin e luftës sonë. Ajo ka pasur qëllim vetëm çlirimin e vendit”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-komandanti i UÇK-së thotë se në luftën e UÇK-së ka pasur njerëz të besimeve të ndryshme fetare por ndasi në baza fetare në atë kohë nuk ka pasur asnjëherë.

“Lufta e popullit të Kosovës në gjenezë kishte lirinë kombëtare. Për këtë kemi luftuar. Edhe aleatët këtë e kanë parë këtë dhe kanë mbështetur vlerat tona”.

Lexo po ashtu Limaj rrëfen për rrëzimin e aeroplanit serb mbi bazën e UÇK-së në bjeshkët e Berishës (Video)

Kryetari i NISMA Socialdemokrate thotë se UÇK gjatë luftës asnjë kish nuk e ka djegur e as sulmuar.

“Kishat që u dogjën në vitin 2004 ishte një veprim i habitshëm. Ne nuk dogjëm asnjë kishë në luftë”, tha ndër të tjera Fatmir Limaj./Telegrafi/