Site icon Telegrafi

Limaj: Ndarja do të nënkuptonte rrënim të Republikës së Kosovës (Video)

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Republikës së Kosovës, njëkohësisht kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se askush nuk mund të vendos në emër të Kosovës pa miratimin e delegacionit shtetëror.

Limaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se delegacioni nuk është krijuar për të bërë garë me Presidentin.

“Roli i Presidentit Thaçi nuk mund të minimizohet… Atifete Jahjaga ka dalë nga zarfa. Dallimi është shumë i madh”.

I pari i NISMA Socialdemokrate ka thënë se ekipi negociatorë do të jetë së bashku me Presidentin në bisedime.

“Është interes i Kosovës që ne të prezantohemi së bashku dhe të jemi unikë në qëndrimet tona”, tha Limaj, përcjell Telegrafi.

Limaj ka thënë se grupi negociator nuk do të shkojë në asnjë takim nëse nuk përfshihet njohja e Kosovës nga Serbia.

“Do të diskutojmë shumë tema përfshirë të pagjeturit, dëmet e luftës, krimet e luftës… Shumë shpejt do të dalim me një listë të plotë të temave që do t’i hedhim në tavolinën e bisedimeve”.

Zëvendëskryeministri ka thënë se nëse një palë e tretë (BE) na sjell në tavolinë ndonjë opsion që nënkupton ndarje, do të kthehemi në Prishtinë.

“Ne do të kthehemi në Prishtinë dhe do të japim secili mendimin tonë për temat e tilla”.

Limaj ka thënë se nuk do ketë ndarje të Kosovës e as ‘Republika Srpska’ në Kosovë.

“S’ka ndarje të Kosovës e as Republika Srpska. Kjo do të ishte sikur të marrim kazmën e të rrënojmë Republikën e Kosovës”.

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror ka thënë se nëse nuk ka qëndrim unik me Presidentin asgjë nuk do të  arrihet./Telegrafi/

Exit mobile version