Kreu i Nismës, njëherësh zëvendëskryeministër në largim, Fatmir Limaj, thotë se janë kundër një qeverie teknike, teksa vendimin e Haradinajt për dorëheqje e vlerëson individual.
Limaj, thotë se tashmë është koha që besimin për qeverisje të re ta kërkojnë nga qytetari.
“Dorëheqja është akt individual i secilit dhe është tërësisht personal, siç e ka dhanë edhe vet, ne nuk kemi qenë të informuar është një vendim individual i kryeministrit Haradinaj. Ne nuk marrim pjesë në asnjë qeveri teknike si Nisma dhe opsioni i vetëm për mendimin tonë për t’i dhanë një qeverisje të fuqishme të drejtë është me shkua tek qytetari për ta marrë besimin dhe njerëzit përmes votës përcaktohen për një qeverisje të re e cila do të merr përgjegjësi e shumë proceseve të rëndësishme në vend”, thotë ai.
Limaj thotë se janë të gatshëm të shkojnë vet në zgjedhje, por që nuk përjashton mundësinë e një koalicioni parazgjedhor.
Ai thekson se Nisma ka qenë besnike ndaj partnerëve të koalicionit dhe ashtu do të mbetet edhe në të ardhmen.
Ndërsa shton se tashmë është koha për të ndërtuar një qeverisje të fortë, dhe jo e vijave të kuqe.
“Është koha e mobilizimin të forcave politike për të ndërtuar qeverisje, nuk është koha e vijave të kuqe”, tha Limaj për EO.
“Nisma është e gatshme edh e vet të shkojë në zgjedhje, por ende është herët të flitet për këto. Nisma vazhdimisht është munduar dhe do të vazhdojë të jetë korrekt me të gjithë partnerët, në çfarëdo aranzhmani që do të futen siç ka qenë deri më tani. Nisma njihet për një partner korrekt, partner që e mban fjalën dhe po më vjen mirë që po vlerësohet qoftë nga partnerët qoftë nga partitë tjera”, tha ai.
Limaj është pyetur edhe për mundësinë që Gjykata Speciale të dërgojë ftesë në adresë të tij.
Thotë se nuk do të ishte ndonjë befasi.
“Askush nuk duhet të befasohet për ftesa të tilla”, përfundon ai.