Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kujtuar 21 vjetorin e masakrës së Dubravës.
Limaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se para 21 viteve në Burgun e Dubravës u vranë mbi 160 të burgosur dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.
Ai ka thënë se është koha e fundit që institucionet e drejtësisë të reagojnë dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar.
Postimi i plotë:
Sot bëhen 21 vite kur ushtria dhe policia serbe kryen një nga krimet më monstruoze mbi të burgosurit në Burgun e Dubravës.
Para 21 viteve në Burgun e Dubravës u vranë mbi 160 të burgosur dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.
Në mesin e të mbijetuarve të kësaj masakre ishte edhe vëllai im, Demiri, miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, Ekrem Kastrati, Ali Xhyliqi, si dhe shumë idealistë e atdhetarë të shquar të çështjes kombëtare.
Pavarësisht se kryerësit e këtij krimi të tmerrshëm kanë emër dhe mbiemër dhe janë të njohur për të gjithë, për këtë krim askush nuk është dënuar.
Është koha e fundit kur institucionet e drejtësisë duhet të reagojnë dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar. /Telegrafi/