Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përmes një konferencë për media ka kritikuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Limajt, procesin e numërimit të votave e kanë përcjellë keq administrimi, papërgjegjësia dhe standardet e dyfishta.
Limaj ka thënë se KQZ i ka ikur përgjegjësisë.
“Dita e zgjedhjeve pra 6 tetorit ishte një nga ditët më të mira që kur mbahen zgjedhjet në Kosovë. Çdo gjë shkoi sipas ligjit, dhe nuk u raportua për ndonjë shkelje serioze në vendvotime, qytetarët e kanë kryer punën e tyre në përputhje me ligjin. Të gjithë shpresuam se do të jenë zgjedhjet më të mira në Kosovë. Sa ishte në dorën e qytetarëve çdo gjë shkojë në mënyrën më të mirë. Problemet filluan të shfaqeshin në momentin e administrimit të procesit të votimit. Duke u parë defektet e para, dhe një nga defektet e parë ishte ai i formularëve. Siç e dini formulari kishte defekte serioze që në mënyrë zinxhirore krijuan probleme në vetë bartjen e rezultateve zgjedhore”, ka pohuar ai, transmeton Telegrafi,
Limaj ka thënë se KQZ është munduar ta rregullojë gabimin e saj pjesërisht, duke rinumëruar mbi 800 vendvotime.
“Në mbledhjen e saj, KQZ pranoi gabimet në formularë, i cili ka qenë i shpërndarë gjithkund në Kosovës, dhe siç ka thënë KQZ procedimi i votave me atë formularë ka qenë i pamundur. Dhe fajin për këtë, KQZ ia la sekretariatit të saj. Për shkak të kësaj, KQZ mori vendim që të rinumërohen mbi 800 vendvotime, kërkesa jonë ishte atëherë që për shkak të gabimeve të KQZ-së, të ketë rinumërim të plotë dhe të futet një formularë i cili ishte në përputhje me ligjin, KQZ në vend se të pranojë gabimin në tërsi ajo pranoi gabimin pjesërisht. Dhe me zgjidhje të pjesërisht të përmbyllë këtë proces. KQZ duke mos marrë vendime për votat e ardhura nga Serbia dhe nga diaspora ka shkelur ligjin zgjedhor”, tha ai.
Limaj ka thënë se shumë e paqartë se me çfarë ligji është duke u administruar procesi zgjedhor.
Gjithashtu Limaj foli edhe për ankesat që kanë parashtruar në PZAP sa i përket votave të ardhura nga Serbia.
“Ne kemi bërë ankesë për votat e ardhura nga Serbia dhe ankesa është refuzuar duke u marrë e parakohshme. Sipas PZAP-it, kjo është e parakohshme sepse KQZ nuk kishte marrë vendim për këtë. Me 29 kemi bërë prapë ankesë në PZAP dhe tani thotë se ankesa është e pas-afatshme, kjo gjendje kaotike është rezultat i sjelljeve të papërgjegjshme te KQZ-së”.
Në fund të konferencës, Limaj tha se do t’i denoncojnë të gjithë ata që kanë shkatërruar integritetin e zgjedhjeve./Telegrafi/