Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se partia e tij e ka kaluar pragun zgjedhor.
Limaj në një konferencë të thirrur për media, pohoi se koalicioni NISMA-AKR-PD do të jetë pjesë e parlamentit.
“Dua të iu njoftoj se deri tani nga rinumërimi i votave të rregullta në QNR, koalicioni ynë ka aktualisht 5.5 për qind të votave , që do të të thotë që koalicioni ynë do të jetë pjesë e parlamentit”, ka thënë Limaj, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu ai ka thënë se votat e ardhura nga Serbia janë të parregullta, dhe nuk duhet të procedohen.
“Veprimet që sot i kemi parë janë veprime që janë në kundërshtim me ligjin. Apeli im është për zyrtarët shtetërorë: mos veproni kundër ligjit dhe mos procedoni votat e parregullta, mos e shkelni ligjin, sepse kjo ndikon direkt në deformimin e procesit zgjedhor dhe çfarë është me rëndësi është se e deformon dhe pamundëson vullnetin e mbi 40 mijë njerëzve që ia kanë dhënë votën këtij koalicioni. Në raportin që ka dhënë ky divizion shihet qartë se si pranohen votat nga jashtë dhe veprimi i sotëm i këtij divizioni është në kundërshtim të plotë me vendimin e KQZ-së, i cili ka rekomanduar divizionit që të respektojë ligjin. Unë i kërkoj KQZ-së urgjentisht të thërrasë mbledhjen dhe të ndalojë këto veprime joligjore”, u shpreh ai.
Ndryshe sipas rezultateve preliminare, koalicioni NISMA-AKR-PD nuk kishte arritur të kaloj pragun zgjedhor duke marrë gjithsej 39 mijë e 495 vota, apo 4.96%.
Në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind./Telegrafi/