Telegrafi

Limaj: E keqja që po na ndodhë është në Prishtinë, mos ta kërkojmë diku tjetër

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo që po ndodh me Ramush Haradinajn është shpërfaqje e qartë se sa të papërfillshëm e kanë bërë shtetin tonë ata që janë duke e drejtuar.

Sipas Limajt, me arsyet për të cilat është ndaluar dhe po mbahet Haradinaj, asnjë shtet normal dhe i dinjitetshëm nuk do të lejonte që t’i ndodh kjo as edhe një qytetari të tij, e aq më pak një ish Kryeministri.

“Këta që sot po e drejtojnë shtetin tonë, ka vite që me entuziazëm kanë punuar në rrënimin e dinjitetit të shtetit. A nuk ishin po këta udhëheqës të shtetit tonë që pak ditë para se të ndalohej Ramushi, e akuzonin atë me po të njëjtat akuza me të cilat edhe është lëshuar fletarrestimi nga Serbia”.

“Është koha për të folur hapur, mjaft më me hipokrizi!”

“Të bashkohemi dhe t’i kthejmë dinjitetin shtetit tonë. E gjithë e keqja që po na ndodhë është në Prishtinë, mos ta kërkojmë diku tjetër”, ka shkruar Limaj. /Telegrafi/