Site icon Telegrafi

Limaj: Dialogu do të vazhdojë me dinamikë të re

Bashkëkryesues i ekipit negociator, Fatmir Limaj, i cili aktualisht po qëndron në Bruksel ku edhe do të zhvillohet takimi i ekipit kosovar me Federica Mogherini, pohoi se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë me një dinamikë të re.

Limaj tha se takimi i nesërm do të jetë njohës nga i cili pret të dalë një agjendë e qartë për të vazhduar tutje.

“Përkushtimi ynë është, Kosova është për dialog që do të ketë qartësi dhe dinamikë tjetër që ka pasur deri më tani. Presim që nesër nga takimi konsultativ të dalë një agjendë e krejt asaj se si shihet dialogu nga ndërmjetësuesit dhe nga ne si Kosovë. Nuk kemi ardhur në Bruksel të bisedojmë për marrëveshje të veçanta por të futemi në dialog që e ka përfundimin e qartë me njohje të Kosovës”, tha Limaj për Klan Kosova.

Limaj tha se baza e gjithë dialogut është njohja e Kosovës, që sipas tij, do të mundësohej edhe implementimi i të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu.

“Tani besoj do të futemi në një dinamikë të re, me një agjendë të qartë, të profilizuar dhe të afatizuar. Kosova ka shumë tema që do t’i hapë, që në fakt janë të hapura me Serbinë e do të mbyllen”.

“Janë tema të rëndësishme që i kemi nda, që duhet të arrihet marrëveshje për to. Mirëpo nuk ka më zbatim unilateral të marrëveshjeve. Do të ketë marrëveshje që duhet të zbatohen nga të dyja palët”.

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator tha se ndër temat kryesore që do të diskutohen nesër janë çështja e të pagjeturve dhe krimet e luftës në Kosovë.

Limaj shtoi se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet dhe se sa më shpejt të ndodhë kjo do të ishte mirë për qartësimin e të ardhmes së të dyja vendeve.

“Nuk duhet të keqkuptohet nga Serbia se Kosova e ka me siklet këtë çështje. Është në interesin e të dyja vendeve që të mbyllet kjo çështje dhe të ecim drejt integrimeve evropiane”, tha ai.

Exit mobile version