Telegrafi

Limaj deklarohet pas takimit me Thaçin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përfunduar takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit, Limaj ka thënë se me Thaçin kanë biseduar rreth dialogut Kosovë-Serbi, transmeton Telegrafi.

“Besoj se që nga momenti i letrës së presidentit Trump, gjërat kanë ndryshuar në procesin e dialogut. Fatkeqësisht, unë mendoj dhe e kam thënë edhe në vitin e kaluar, një pjesë e madhe e njerëzve nuk e kanë kuptuar drejt letrën për të kuptuar ndryshimin rreth dialogut Kosovë-Serbi. Besoj që është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën, përfshirja e SHBA-së, në dialogun me Serbinë. Gjithë skena politike, opinioni publik, kemi kërkuar në vazhdimësi involvimin direkt të SHBA-së në dialog. Involvimi i SHBA-së, në dialog është i rëndësishëm, sjell siguri”, ka thënë ai para mediave.

Limaj ka thënë se Nisma është që të ketë konsensus për tema nacionale dhe konsensus për dialog, por jo në shërbim të egove individuale. /Telegrafi/